Një muaj pas analizës së tij të parë, varianti Lambda i virusit SarsCoV2 që u shfaq në Peru, ka dy mutacione që e bëjnë atë shumë infektiv. Të dyja gjenden në proteinën Spike, me të cilën virusi depërton në qelizat njerëzore. Kjo tregohet nga hulumtimi i koordinuar nga Universiteti i Tokios, me Izumi Kimura dhe Kei Sato, dhe i arritshëm në internet në faqen e internetit të bioRxiv, i cili përfshin artikuj që ende nuk i janë nënshtruar ekzaminimit nga komuniteti shkencor.

Dy mutacionet që kanë tërhequr vëmendjen e virologëve sepse e bëjnë variantin Lambda më infektiv tregohen me inicialet T76I dhe L452Q; një mutacion i tretë, i treguar me RSYLTPGD246-253N gjendet në pjesën fundore të proteinës Spike dhe falë tij ky variant arrin të shpëtojë nga antitrupat. Mbi të gjitha, ky mutacion i fundit konsiderohet nga autorët e hulumtimit se mund të jetë “i lidhur ngushtë me përhapjen masive të infeksionit të variantit Lambda në Amerikën e Jugut”. ”Të dhënat tregojnë se jemi ende larg fazës endemike”, vëren virologia Francesca Broccolo, nga Universiteti i Milanos ”Bicocca”.

“Faza endemike është ajo në të cilën pritet shfaqja e një virusi shumë të transmetueshëm, por jo shumë virulent. Në fakt, të dhënat tregojnë se variantet me një potencial të lartë infektiv të aftë për t’iu shmangur antitrupave ende po shfaqen”, shton ajo. Për momentin, sipas të dhënave, varianti Lambda është i përhapur në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Peru, Argjentinë, Kili dhe Ekuador; ka gjithashtu shumë raste në të gjithë Amerikën e Veriut, ndërsa në Evropë rastet vërehen mbi të gjitha në Spanjë dhe Gjermani.