Përkundër rritjes së numrit të rasteve të infektimit me COVID-19 dhe shtrëngimit të masave kundër pandemisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po planifikon që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator. Ndërkohë që bënë të ditur se është dyfishuar numri i mësimdhënësve dhe nxënësve që janë vaksinuar. Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Berdyna në një konferencë për media, tha se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë me kohë.
Ajo tha po ashtu se janë angazhuar që të vaksinohen sa më shumë mësimdhënës. “MAShT është duke i bërë të gjitha përgatitjet që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator. Në bashkëpunim e drejtoritë komunale të arsimit do të sigurohemi që shkollat t’i plotësojnë kushtet si nga ana infrastrukturore, në bazë të rekomandimeve të IKShP-së, po ashtu që edhe mësimdhënësit t’i kemi sa më shumë ta vaksinuar. MAShT do t’i përkrahë shkollat me maska dhe dezinfektuese, përmes kontratës, e cila është në proces të përfundimit”, tha ajo.
Zëvendësministrja e MAShT-it bënë të ditur se është dyfishuar numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të vaksinuar. Teksa apeloi që edhe ata që nuk janë vaksinuar deri më tash ta bëjnë një gjë të tillë. “Numri i personelit arsimor të vaksinuar bashkë me stafin është 55 mijë e.. 94 të vaksinuar. Siç janë deklaruar kur e marrin vaksinën, të dhënat janë këto: arsimtarë janë 4 mijë e 595, drejtorë shkolle 291 persona, edukues fizik 215 persona, mësimdhënës 12 mijë e 352 persona, nxënës 717, profesorë 5 mijë e 1, punëtorë arsimi 2 mijë e 352, referentë 130, ndërsa studentë 29 mijë e 441. Nëse e krahasojmë këtë shifër totale me 2 javë më parë, tani kemi gjithsej 54 mijë e 94 persona të vaksinuar. Me fjalë të tjera, pothuajse është dyfishuar numri i të vaksinuarve gjatë dy javëve të kaluara”, bëri të ditur ajo.
Ajo foli edhe për testin e maturës, për të cilin tha se do të mbahet më 28 gusht, derisa shtoi se presin që në total numri i kandidatëve të jetë rreth 8 mijë maturantë. “Testi planifikohet të organizohet në rreth 65 qendra të testimit, por kjo varet edhe nga numri i nxënësve që do të paraqesin provimin si dhe nga përgatitjet e komunave… Rezultatet e provimit do të shpallen më 8 shtator. Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, siç ka qenë procedura më herët, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës”, theksoi ajo.
Maloku – Berdyna gjatë kësaj konference tha se janë ndarë 1 milion euro për 1 mijë studente të fushave ‘stand’, që do të regjistrohen në vitin akademik 2021-2022 nivelin bachelor. Ajo theksoi se janë përzgjedhur për mbështetje financiare 16 studentë që do të studiojnë jashtë vendit, e që do të marrin nga 6 mijë e 500 euro.