Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e patrullës së Përgjithshme. Policia bën me dije se të arrestuarit janë shtetasit Jani Tafani, 52 vjeç, Dritan Begolli, 42 vjeç dhe Olsi Ebeja, 39 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Sipas policisë në momentin që ka shkuar Patrulla e Përgjithshme për të mbyllur lokalin dhe ndëshkuar me masë administrative pronarin e lokalit, shtetasit e lartpërmendur, që ishin klientë në këtë lokal kanë tentuar për penguar me forcë punonjësit e policisë për të vendosur masën administrative pronarit të lokalit.

Njoftimi i plotë:

Kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, vihen në pranga tre shtetas. Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë pronari i lokalit,i cili u konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit Jani Tafani, 52 vjeç, Dritan Begolli, 42 vjeç dhe Olsi Ebeja, 39 vjeç, të tre banues në Elbasan. Arrestimi i tyre u bë pasi nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan në vijim të kontrolleve të ushtruara në zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, kanë konstatuar se në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, lokali në pronësi të shtetasit R.T., vijonte të ishte i hapur dhe gjeneronte muzikë.

Në momentin që ka shkuar Patrulla e Përgjithshme për të mbyllur lokalin dhe ndëshkuar me masë administrative pronarin e lokalit, shtetasit e lartpërmendur, që ishin klientë në këtë lokal kanë tentuar për penguar me forcë punonjësit e policisë për të vendosur masën administrative pronarit të lokalit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i tyre, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ, pronari i lokalit shtetasi R.T., është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në Aktin Normativ. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.