Edhe pse Ministrja e Arsimit në një status në Facebook pranoi se prindërit nuk kanë kryer regjistrimet për në klasë të parë ose të dhjetë online për arsye teknike, sërish njoftoi se do të ketë një fazë të dytë aplikimi përmes portalit e-albania.

Në fazën e parë pati vetëm 5580 aplikime për në klasë të parë dhe 7343 aplikime për në gjimnaz, e për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve ministria e arsimit njoftoi rihapjen e portalit e-albania për regjistrimet në shkolla edhe përgjatë periudhës 15 gusht deri në 30 gusht. Por a do të ndryshojnë qasje këtë herë prindërit për metodën e re të regjistrimit të fëmijëve të tyre në institucionet arsimore?

Rihapja e portalit e-albania për regjistrimin e nxënësve në shkolla ka sjell edhe disa ndryshime. Në rastet kur shkollat kanë kapacitetet e mjaftueshme, ministria e arsimit do të jetë më tolerante, pasi lajmëron se këto institucione arsimore mund të regjistrojnë fëmijët edhe jashtë zonës së banimit, me miratimin e zyrave vendore arsimore të shprehura në një arsyetim të legjitimuar. Dhe më tej, pas kërkesës për regjistrim shkolla duhet të kthejë përgjigje brenda 24 orëve. Në rast refuzimi, prindërit duhet të vazhdojnë aplikimin brenda afatit 15 ditor në shkollën ku u takon regjistrimi.