Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.”
Ai shton se marrëveshjet e katër lirive duhet të nënshkruhen deri më 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që “të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare.
Prioritet marrëveshjet nga forumi përfshirës i Procesit të Berlinit/ Pyetjeve të Deutsche Welles se në çfarë mënyre e mbështet qeveria gjermane nismën „Ballkani i Hapur” zëdhënësi iu përgjigj përmbledhtazi: “Qeveria gjermane është në dijeni të nismës së Ballkanit të Hapur. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur.”
Në përgjigjen me shkrim qeveria gjermane i lë pa përgjigje të drejtpërdrejta pyetjet e Deutsche Welle-s se si e vlerëson kancelarja Merkel nismën Ballkani i Hapur dhe se çfarë roli luan “Ballkani i Hapur” në realizimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Me këtë deklaratë, qeveria gjermane lë të nënkuptojë se prioriteti i saj është realizimi i marrëveshjeve të dala nga forumi gjithëpërfshirës i Procesit të Berlinit. Njohës të proceseve të integrimeve evropiane të Ballkanit e vlerësojnë këtë forum si të vetmen platformë që shoqëron procesin e integrimit të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe u jep shans të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të shprehin prioritetet e tyre.
Debate për qëndrimin gjerman/ Javën e kaluar qëndrimi i mundshëm i qeverisë gjermane ndaj nismës Ballkani i Hapur u interpretua në mënyra të ndryshme nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe në opinionin e gjerë.
Ideja e Ballkanit të Hapur, dikur i njohur edhe si “mini-Shengen”, u prezantua në fillim në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.
Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 të heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve.
Kosova është një nga vendet që e kundërshton me forcë këtë nismë, pasi thotë se prej saj përfiton më shumë Serbia.
Në javën e parë të muajit gusht parlamenti i Kosovës e përforcoi refuzimin e ndaj nismës Open Balkan (më parë Mini Shengen) me një rezolutë kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi të 4 shtatorit 2020.
Teksti i plotë i deklaratës së zëdhënësit të qeverisë: “Qeveria gjermane është në dijeni të nismës „Ballkani i Hapur”. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane, çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur. Në të njëjtën kohë, është me rëndësi që bashkëpunimi të jetë përfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Prandaj qeveria federale mbështet Planin e Veprimit për një Treg të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e “Procesit të Berlinit” në Sofje, në nëntor 2020. Krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit” më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.
Detyra më urgjente tani është mbyllja e negociatave për katër marrëveshjet: për lirinë e lëvizjes me karta identiteti, për hyrjen, lirinë e lëvizjes dhe lejet e qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta, për njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët dhe njohjen e diplomave universitare, në mënyrë që në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të arrihen progres dhe përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kancelarja gjermane e vuri në dukje këtë edhe në konferencën për media pas Samitit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik.”/DW