Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar familjen e Hashim Thaçit. Ai është takuar me prindërit e ish-Presidentit, Haxhi dhe Hyre Thaçit.
Dikur kundërshtarë politikë, por Haradinaj thotë se përtej dallimeve politike ai beson tek pafajësia e THaçit dhe drejtësia ndërkombëtare.
Po ashtu Haradinaj u ka dhënë prindërve të Thaçit medaljen ‘’Me besim në zot, atdhe e shtet’’ për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.
Postimi i Haradinajt:
Sot kisha nderin që me bashkëpunëtorë, ta vizitoj familjen e Haxhi dhe Hyre Thaçit, prindërit e Presidentit Hashim Thaçi.
Njëherësh për ta kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.
Themeli i lirisë dhe Shtetit të Kosovës është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari.
Luftë më të drejtë, më të pastër e më fisnike, për çlirim nga pushtimi i egër millosheviqian, nuk do të njohë asnjëherë njerëzimi.
Përtej dallimeve politike, unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës sonë dhe pafajësinë e të gjithë bashkëluftëtarëve, në këtë rrafsh edhe të Hashim Thaçit!