Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bën të ditur se pasditja e 5 gushtit ka një rrezik më të lartë për zjarre në pyje sidomos në katër qarqe të vendit. Sipas IGJEUM, qarqet me rrezik më të lartë për zjarre janë ai i Fierit, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës.“Sot pasdite (e enjte dt.05) dhe nesër (e premte dt.06) pritet nivel “I LARTË” rreziku në pjesën më të madhe  të qarqeve (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Qarqet me rrezik më të lartë janë qarqet e Fierit, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës. Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë pritet rrezik “I MODERUAR”. Rreziku pritet të jetë më i lartë sot pasdite”, thuhet në njoftimin për mediet.

Ndërkohë, sa i takon forcës së erës, që është një element që ndihmon përhapjen e flakëve, IGJEUM bën me dije se era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare (për momente të shkurtra deri e fortë), sidomos në bregdet dhe në zonat malore. Sa i përket parashikimit për reshje, IGJEUM thekson se “sot pasdite (e enjte dt.05) dhe nesër (e premte dt.06) priten reshje të dobëta në shumicën e qarqeve deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark)”.

Në zona të kufizuara të qarqeve, nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë reshje në formë shtrëngate me kohëzgjatje të shkurtër, më e mundshme në terrenet malore (dhe ato pranë tyre) kryesisht gjatë pasditeve. Sa i përket temperaturave për ditën e premte 6 gusht, IGJEUM bën të ditur se “temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 22 / 30 °C, në vendet e ulëta: 24 / 31 °C dhe në vendet malore: 17 / 28 °C Sot pasdite (e enjte dt.05) dhe nesër (e premte dt.06) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare (për momente të shkurtra deri e fortë), sidomos në bregdet dhe në zonat malore.