Në qarkun e Korçës janë shfaqur sot tri vatrat e para të zjarrit shkaktuar nga moti me temperatura të larta dhe era që favorizon përhapjen e flakëve me shpejtësi.

Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari në një prononcim mesditën e së enjtes për ATSH-në tha se, “aktualisht po punohet paralelisht për shuarjen e zjarrit në të tri vatrat që kanë rënë sot, konkretisht në afërsi të fshatit Vithkuq, dhe dy vatra afër Maliqit”.

“Nga Korça janë nisur mjetet e zjarrëfikëseve dhe bashkë me ushtarët e Forcave të Armatosura po punojnë për izolimin e këtyre vatrave”, u shpreh Spirollari për ATSH.

Sipas tij, strukturat përkatëse qendrore dhe lokale janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën për të ndërhyrë në kohë për çdo rast që mund të paraqitet nga rënia e zjarreve në këtë stinë të nxehtë, ndërsa theksoi se vatrat që janë shfaqur sot, janë rasti i parë për qarkun e Korçës.