Qeveria e Kosovës të shtunën, më 28 gusht, ka ashpërsuar masat kundër koronavirusit, pasi tha që situata epidemiologjike në vend është rënduar. Masat pritet të hyjnë në fuqi të dielën, pas publikimit të vendimit. Qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë më 13 shtator. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia kjo grupmoshë së fundmi është bërë edhe shpërndarës i virusit. Sipas ministrit Vitia, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rëndë. “Situata paraqet një ngritje enorme të rasteve të infektimit me COVID-19”, tha Vitia.

Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar për një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në ora 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme.

Institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator. Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës. “Kjo masë gradualisht do të përfshijë edhe sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”, tha Vitia.

Po ashtu, të gjith personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Gjendja me pandeminë Javëve të fundit, situata me pandeminë COVID-19 është përkeqësuar në Kosovë. Vetëm gjatë të shtunës, Kosova regjistroi 18 viktima dhe 1.891 raste të reja me koronavirus. Ndërkaq, në shtatë ditët e fundit, në vend janë regjistruar 107 viktima dhe 13.475 raste të reja. Si pasojë e rritjes së rasteve, spitalet dhe klinikat që trajtojnë pacientët me COVID-19 janë mbushur. Sipas raportit të publikuar më 28 gusht, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar tha se 1.077 pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në spital, ku 63 prej tyre janë në kujdes intensiv. Ndërkaq, 944 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi./REL