Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se ka aprovuar rekomandimin nga Komiteti për Imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12-vjeçare.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vetë institucioni nëpërmjet një komunikate për medie, që thekson se do vaksinohen edhe fëmijët 12-vjeçar në bazë të indikacioneve shëndetësore me vaksinën Pfizer, përcjell Gazeta Express.
“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin: Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Ky vendim vjen pas rritjes së numrit të të infektuarve të grupmoshave të reja. Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit, sipas raportit të IKSHPK’-së, 14 fëmijë deri në moshën 9-vjeçare janë infektuar me Covid-19. /Gazeta Express