Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë të enjten, se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se në Kosovë ende nuk është arritur imuniteti kolektiv kundër koronavirusit. Në një konferencë për media me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Ramadani ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se imunizimi është zgjidhja e vetme për mposhtje të pandemisë. “Rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 përqind e popullatës e ka kaluar koronavirusin, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënqashëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht në Kosovë është nën moshën 50-vjeçare. Për këtë arsye, ai ka bërë thirrje për vaksinim të moshave të reja dhe ka thënë se autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-vjeçare. “Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin e personave mbi 18 vjeç. Tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të moshave 12 deri në 15 vjeç me prioritet, sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ramadani.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për lu ftim të pandemisë së koronavirusit. Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator. Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve. Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.

Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime. Personat nën moshën 18-vjeçare nuk janë të detyruar të prezantojnë këtë dëshmi, përveç rasteve kur hyjnë në klube të natës.