Mero Baze
Kryeministri Edi Rama njoftoi fundin e mandatit të tij të dytë qeverisës, ndërkohë që ka marrë një mandat të plot, i vetëm, për një qeverisje të re katërvjeçare. Opozita e cila u përpoq t’ia shkurtonte mandatin me aksione radikale të paprovuara ndonjëherë në Shqipëri, duke djegur mandatet e Kuvendit dhe duke bojkotuar zgjedhjet, në të vërtet u vetëshkatërrua dhe i dha atij shans të merrte lehtësisht një mandat të tretë. Përveç kësaj opozita po përballet paradoksalisht me pasojat e ligjit të dekriminalizimit, kalit të saj të vetëm të betejës në këto tetë vite në opozitë, duke u detyruar të përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar, ose të shkel mbi të vetmen iniciativë ligjore të saj, me të cilën shpresonte se do të dëmtonte kundërshtarin. Fitorja e Edi Ramës në vitin 2017 ka qenë fitorja më e mirë e tij. Pavarësisht përpjekjeve për baltosje më vonë, ato ishin zgjedhjet më konsensuale të zhvilluara në Shqipëri për të cilat opozita nuk pati asnjë ankesë zyrtare pasi mes të tjerash, ishin zgjedhje, të një qeverie, e cila kishte 6 ministra të opozitës një zëvendëskryeministër dhe thuajse gjithë agjencitë shtetërore, nën kontroll të saj.
Fal marrëveshjes së Edi Ramës me Lulzim Bashën, fushata ishte e qetë, pa akuza dhe pa incidente, përveç LSI që zakonisht prodhon probleme me zarfat e shpërndara ndërsa del nga shkallët e shtëpisë. Por duket se Edi Ramës nuk i shijojnë fitoret në paqe. Fillimi i mandatit të dytë , me një strukturë të re qeverisje dhe promovim të emrave të rinj, thuajse të panjohur, (disa emra nuk i gjeje dot as në google) bëri që ai të humbte thuajse një vit kohë duke ndërruar zyra, duke transportuar karrige e dosje dhe duke u përpjekur që ministrat të kuptonin detyrën e re.
Nën peshën e akuzave ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe telenovelës me kushërinjtë e tij, e më pas me historinë e përbaltjes së Fatmir Xhafës me telenovelën “Babalja” nga Kinostudjua e SHQUP-it, mandati i dytë i Edi Ramës i marrë aq pastër, ngjante si mallkim. Sikur të mos i mjaftonin problemet me imazhin, dhe histori të dyshimta PPP, një protestë e studentëve të Universitetit që buronte nga dështimi i Reformës në Arsim, ose më mirë të themi nga ngrirja e saj, e cila as nuk zbatohej, as nuk anulohej, bëri që në fund të vitit 2018, pak më shumë se një vit pas zgjedhjeve, Edi Rama të gjendej në një situatë kritike.
Por me sa duket suksesi i tij janë krizat dhe fatkeqësitë dhe jo qeverisja në paqe. Me një guxim politik të pazakontë, ai u përfshi në debate baltosëse me protagonistët e protestës së studentëve, dhe arriti të bëhej nga target i kësaj proteste në një protagonist të saj, duke premtuar veting universitar, dhe reformim të sistemit të shpërblimit të studentëve të talentuar. Fillimi i vitit të ri 2019 e gjeti qeverinë thuajse të ndryshuar , duke hequr prej saj ministrat më të rëndësishëm, si ai Infrastrukturës, Financave, i Arsimit, Ministri i Jashtëm etj., të cilët duhet ta fillonin çdo gjë nga e para. Të inkurajuar nga kjo gjendje e pasigurt e qeverisë, presidenti Ilir Meta filloi të përfshihej në diversione politike duke mos dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit, nga Ministër i Jashtëm pasi “kishte dyshime” se ministri i ri 28 vjeçar, ishte agjent i agjenturave të huaja. Nën autosugjestionin e një triumfi mbi Reformën në Drejtësi dhe dobësitë e qeverisjes Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta shtynë opozitën drejt dy akteve fatale, atë të djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale, me shpresë se Edi Rama do të dorëzohej.
Në fakt të dyja u kthyen në fat të Edi Ramës. Bojkoti i parlamentit dështoi pasi lista u plotësua me kandidatë rezervë të opozitës, që me thënë të drejtën dëshmonin anën tjetër qesharake të saj dhe çmendurin e Lulzim Bashës dhe Ilir Metës me listën rezervë të deputetëve, që ishin nën nivelin mesatar të shoqërisë. Zgjedhjet lokale po ashtu nxorën opozitën tërësisht nga sistemi. Të dyja këto gjeste ishin një faktor vendimtar për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit më 2021. Por ylli i parë i fatit në mandatin e tij të dytë, i ndriti në Shtator të 2019 kur ra tërmeti i parë në Shqipëri dhe shkëlqimi i tij u rrit në tërmetin shkatërrimtar të Nëntorit 2019.
Fatkeqësia që do të kishte shembur çdo qeveri në tokë, u kthye në një ogur shprese, dhe në një imazh jashtëzakonisht pozitiv për të, ndërsa ai i ngjante një personazhi të NETFLIX, që qeveriste krizën duke pasur parasysh një regjisor që e dokumentote atë. Ai shfaqej në mëngjes në Durrës tek disa pleq, në drek në Thumanë tek dy fëmijë që ishin hedhur nga dritarja e katite te tretë, në dark në Golem duke sistemuar një burrë që i kishte humbur gruaja, ditën tjetër mes një turme ku dikush ankohej se nuk ja qasnin qenin në hotel me pesë yje, pastaj në një korridor spitali në Itali pas Cristiano Ronaldos, që do t’u plotësonte një dëshirë dy vogëlusheve, e më në fund duke çuar dy fëmijët në shkollë. Ai arriti ta kthej fatkeqësinë e tërmetit në një shpresë të re për fatkeqët por dhe vendin, sidomos kur si një lypës shembullorë arriti të grumbulloj, 1 miliard e 150 milion euro ndihma nga gjithë bota, një shifër rekord e paimagjinueshme dhe për vet atë.
Shuma ju afrua Shqipërisë dy javë para se ajo të izolohej plotësisht nga një fatkeqësi e dytë që ishte pandemia.
Ndërsa vendi u mbyll tërësisht nën panikun e një armiku të panjohur, ekonomia shqiptare të vetmen vaj lubrifikant të saj, kishte industrinë e ndërtimit, në funksion të zonave të prekura nga tërmeti mbuluar nga donacionet ndërkombëtare. Fal asaj ekonomia gjatë vitit 2020 nuk pësoi ndonjë katastrofë, dhe në fillim të vitit 2021, Shqipëri shënonte sërish ritëm rritje, ndërsa zonat e dëmtuara nga tërmeti, po shndërroheshin në qytete moderne dhe lagje fshatrash luksoze, të papërfytyrueshme për banorët fatkeq.
Përpjekja e opozitës për t’u rikthyer në sistem dhe një marrëveshje politike me qeverinë me 5 Qershor, u respektua, duke u thelluar më tej me ndryshime në Kodin elektoral me votat e opozitës parlamentare që zhbëri sistemin e listave të përbëra në zgjedhje, dhe hapi garën për listën e deputetëve. Fal bojkotit parlamentar të opozitës, bojkotit të zgjedhjeve lokale, pandemisë dhe tërmetit, Edi Rama shikohej më 25 prill të 2021, si alternativë pa konkurrencë, edhe pse për katër vite, thuajse nuk ka qeverisur, por ka bërë beteja. Fatkeqësitë natyrore dhe opozita ishin shkaku i betejave dhe i fitoreve mbi to. Mandati i tij i tretë e gjen opozitën shumë herë më të dobët se katër vite më parë, dhe Edi Ramën shumë herë më të fort politikisht. E vetmja enigmë për suksesin e tij të ri, është nëse do ketë sukses në qeverisje normale pa beteja, apo do të pres të ndodh ndonjë gjëmë, që të shfaqet si shpëtimtar. Se pastaj në vend të themi: “Mos na lëntë Zoti pa qeveri!” do të themi “Mos na lëntë Zoti pa fatkeqësi!”