“Flaka olimpike po shuhet në Tokio, por zjarri i ndezur olimpik në Japoni me mesazhet për paqe, nuk do të shuhet kurrë”, theksoi kryetarja e ekipit organizativ në fund të Lojërave Olimpike në Tokio. Në skenë dolën sportistë nga të gjtiha kontinentet, ndërsa lojërat i shpalli të përfunduara presidentit i Komitetit Olimpik Thomas Bach me mesazhe për paqë e solidaritet. Bach falënderoi Japoninë për organizimin e lojërave dhe në veçanti vullnetarët, që u angazhuan në këtë kohë pandemie. Mirupafshim në Paris, theksoi Bach.

Kështu pas 339 vendimeve në gara, përfunduan Lojërat Olimpike në Tokio. Ceremonia e mbylljes ishte një gërshetim i jashtëzakonshëm i tradicionales dhe modernes me të cilën mburret Japonia. Në fillim u fut në stadium flamuri japonez qe u pasua nga ceremoni të shumta të përgatitura me shumë kujdes. Flamujt e shteteve pjesëmarrëse u futën në stadium nga sportistët më të dalluar dhe të përzgjedhur nga federatat.

Në stadium megjithatë nuk ishin të gjithë sportistët që garuan, për shkak të pandemisë. Sportistët detyroheshin që 48 orë pas përfundimit të garave të tyre të largohen nga vendi. Ekipi më i suksesshëm për nga numri i medaljeve në Tokio ishte ai amerikan para Kinës. Por nisur nga numri i banorëve, Kosova ishte ndër tri vendet më të suksesshme në këto lojëra (së bashku me Xhamajkën dhe Bahamet) me dy medalje të arta. Gjermania ka fituar më pak medalje prej ribashkimit të vendit. Në vitin 2024 sportistët nga mbarë bota i pret Parisi, ku do të mbahen lojërat e ardhshme. Flamuri olimpik në fund iu dorëzua përfaqësuesve të Parisit, ku shpresohet të kemi lojëra me prezencën e publikut.