Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton mbi rregullat e reja të vendosura nga Republika e Kosovës për hyrjet në vend. Sipas njoftimit të MEPJ, të gjithë shtetasit e huaj që udhëtojnë drejt Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duhet të paraqesin një test RT-PCR negativ COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.
Nga ky rregull përjashtohen qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo pikave kufitare, tokësore dhe largohen nga Kosova brenda 3 orësh, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do largohen nga Kosova brenda 3 orësh dhe qytetarët e huaj, të cilët punojnë si transportues, me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19. Gjithashtu përjashtohen qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do të largohen nga territori i Kosovës brenda 5 orësh, personat që kanë çertifikatën e vaksinimit të plotë kundër COVID-19; personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar 30 ditë para mbërritjes si dhe fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë vjeçare.