Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se aktualisht në të gjithë vendin janë 6 vatra aktive, 2 janë shuar tërësisht, ndërsa 1 vatër është izoluar. Zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv dhe vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave. Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Sot ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.

Vijon zjarri edhe në Fushë Arrëz. Në ndihmë të punonjësve vendorë ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura. Në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar.

Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë. Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre. Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Ka vijuar operacioni me te gjitha forcat operacionale.

Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë- Selishtë, bashkia Mallakastër. Sot kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku. Është shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë.