Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit mbetet problematike. Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e situatës, informoi pasditen e sotme se zjarri në afërsi të fshatit Shemri në vendin Kodrat e Lakut të Mollës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës po mbahet nën kontroll nga forcat, në mënyrë që të mos përhapet afër banesave. Po punohet edhe nga ajri me helikopter. Është normalizuar zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, pas ndërhyrjes së helikopterit.
Po ashtu janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë, zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe forca të tjera. “Flakët kanë rënë në sipërfaqen pyjore, rrezikohet edhe përhapja në kurorë. Po ndërhyhet edhe nga ajri me helicopter”, bën të ditur ministria. Sipas MM-së, është aktive një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre, pisha e dushqe në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë, por nuk ka rrezik për zonën e banuar.
Ndërsa vatra e zjarrit në fshatin Radat është nën kontroll. Sipas informacioneve nga emergjencat civile të bashkisë Dropull i Poshtëm në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja e Bashkisë Gjirokastër dhe strukturat e ushtrisë. Përsa i përket shpërthimeve ende nuk janë konfirmuar nëse mund të kenë qenë granata të Luftës së Dytë Botërore apo bombola gazi në një grumbull mbeturinash. Nuk ka rrezik për banesa. Ka një vatër zjarri në mes të shpatit të malit, ku po ndërhyjnë forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëset.
Një zjarr në sipërfaqe me shkurre është njoftuar në fshatin Qinam në Tiranë, pa rrezik për banesa. MM thotë se është riaktivizuar një vatër zjarri në fshatin Thirrë në bashkinë Mirditë. “Zjarri po shkon drejt fshatit Gështenjas dhe mund të rrezikojë banesat. Forcat zjarrfikëse, banorët po punojnë për ta vënë nën kontroll. Jane nisur dhe forca nga DMR Kukës”, informoi MM. Në fshatin Sinametaj, njësia administrative Karinë, në bashkinë Peqin, sipas MM-së, ka një vatër zjarri në shkurre e bimësi të ulët. Në zonë po shkojnë zjarrfikësit e zonës, por terreni është mjaft i vështirë dhe mjetet nuk mund të mbërrijnë deri aty.Po ashtu bëhet e ditur se në fshatin Pashalli, në Poshnjë të Beratit është raportuar një zjarr në shkurre, në afërsi të pyllit me pisha. Situata po ndiqet nga zjarrfikësit dhe pushteti vendor.