Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ftoi sërish sot të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç që nuk janë vaksinuar të shfrytëzojnë ditët e fundit të muajit të hapur të vaksinimit masiv.
“Vaksinimi nuk pret, ndaj edhe njëherë i ftoj studentët, mësuesit dhe çdo qytetar që ende nuk është vaksinuar, të shfrytëzojë këto ditë të fundit të muajit të hapur të vaksinimit masiv, për të mbrojtur veten por edhe të tjerët”, – tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu shprehet se deri tani janë kryer 1,376,763 vaksinime në të gjithë vendin.
“Me kartën e identitetit, ju mund të vaksinoheni ndaj COVID-19 në qendrat shëndetësore, poliklinika ose në pikat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.
Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar duke u paraqitur me kartën e identitetit.
Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.