Diskutova me presidenten e të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel mbi situatën në Afganistan, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

”NATO vazhdon të punojë në kontakt të ngushtë me BE dhe pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të koordinuar dhe lehtësuar evakuimet nga Afganistani”, shtoi ai.

Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel diskutoi me presidentin amerikan Joe Biden për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë në Afganistan, ndërsa një operacion evakuimi masiv vazhdon në aeroportin e Kabulit.

”Ata ranë dakord për evakuimin e sa më shumë njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

Merkel theksoi “nevojën për të mundësuar që sa më shumë qytetarë afganë që kanë mbështetur Gjermaninë të largohen nga vendi”.

”Ata gjithashtu diskutuan nevojën për koordinim të ngushtë në ofrimin e ndihmës humanitare për afganët si dhe mbështetjen për shtetet fqinje”, tha në një deklaratë Shtëpia e Bardhë.

Merkel gjithashtu ka folur kohët e fundit me udhëheqësit rajonalë, përfshirë presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev dhe e falënderoi atë për mbështetjen logjistike për fluturimet gjermane të evakuimit.