Nga Alfred Peza
Ka një kinse hallakatje në ambjentin opozitar, në lidhje me thelbin e debatit publik, që po zhvillohet tani në prag të fillimit të sezonit të ri politik. Në vend që të fokusohen tek ultimatumi i SHBA, për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, meren me gjithçka tjetër. A thua se kjo qasje do ti ndihmojë të shpëtojnë, nga vendimi i vetëm që duhet të marin, para hapjes së Kuvendit të ri. A e keni parë sesi bëjnë sikur nuk e kanë mendjen tek Sali Berisha? Dikush bën sikur e mer seriozisht Lulzim Bashën dhe bën kinse si i preokupuar, se përse vallë, të gjithë duan largimin e tij nga PD?! Të tjerë, bëjnë sikur hapin debatin, nëse PD e ka përmbyllur apo jo misionin e saj si parti? Dikush shtron pyetjen nëse ky është ai momenti që PD të shkrihet? Të tjerë akoma krijojnë një puhizës në gotën e tyre, duke pyetur vetë e duke u përgjigjur po vetë, nëse PD duhet rithemeluar tani apo pak më vonë?!
As këta dhe as të tjerë që po vijojnë për inerci protagonizmin mediatik, pasi u futën në garën për kreun e PD pas zgjedhjeve të 25 prillit, nuk ia bën goja që të artikulojnë thelbin e çështjes e ta thonë me zë të lartë publikisht: Sali Berisha, ik! Koha jote, mbaroi. Nëse je “lider historik”, dil në pension politik. Jo për gjë, por vetë ka deklaruar në vitin 2013 pas humbjes së zgjedhjeve, se do të largohej. Meqenëse për 8 vjet nuk e bëri këtë vetë, tani është detyrimi i demokratëve që ta çojnë në shtëpi. Tani. Para seancës së parë të Parlamenti të ri në shtator. Kaq. Në këtë mënyrë, edhe Sali Berisha “e mban” premtimin për tu larguar nga skena, edhe SHBA-së i përmbushet vendimi i shpalljes së tij dhe familjarëve të vet “non grata”.
Asnjë nuk e bën këtë, sepse nuk kanë këllqe që tia thonë Sali Berishës në sy, të vërtetën e thjeshtë. As Lulzim Basha nuk ka. Lidershipi i “Opozitës së Bashkuar”, jo e jo. Por as strukturat drejtuese të PD. As Grupi Parlamentar i saj. As propoganda opozitare. As mediat “e pavarura” pranë tyre dhe as analistët. Ana komike e kësaj historie, është tek i sheh të gjithë duke sajuar nga një “samar” që të duken se po i bien, meqenëse “gomarit” nuk kanë se çfarë të bëjnë. Ikja e Sali Berishës nga skena, nuk është dëshirë e mazhorancës, as e kritikëve, kundërshtarëve apo armiqve të tij politikë. Jo. Ikja e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, nuk është thjeshtë një kapriço e SHBA, se ashtu i është shkrepur në kokë dikujt në Washington. Aspak. Largimi i tij, është një mision historik, për ti dhënë fund tranzicionit tonë 30 vjeçar. Largimi i “gomarit”, është mundësia e vetme që i hap rrugën “kalit” të demokratëve që është bllokuar prapa tij, për të vrapuar drejt rikthimit në pushtet.
Largimi i Sali Berishës nga skena politike, bëhet sepse siç thuhet në vendimin e plotë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai “ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitimet e tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes…”. “Retorika e (Sali Berishës) tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë në dëm të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe përgjegjësisë për të dhënë llogari. Me këtë përcaktim,- vijon z. Blinken- unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeverisëse dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.
Këto akuza kanë vetëm 100 ditë që janë bërë publike, por të gjithë ata që e drejtojnë gishtin kudo gjetkë por vetëm tek Sali Berisha jo, bëjnë sikur i kanë harruar tashmë. Ndaj nuk e thonë dot publikisht, të vërtetën e thjeshtë, që e ndihmon aq shumë opozitën sot, se: Largimi i Sali Berishës, është një akt politik që i hap rrugën mbrojtjes së tij individuale, jashtë bunkerit të PD dhe flamurit të opozitës shqiptare.
Pas kësaj është e thjeshtë për demokratët, që të marin vendime, sipas dëshirës e normave të funksionimit të tyre të brendshëm partiak. Nëse do të duan ta mbajnë Lulzim Bashën, le ta gëzojnë. Nëse duan që ta heqin, le ta bëjnë, përmes proceseve demokratike në liri të plotë të zgjedhjes së tyre. Nëse do të duan që ta shkrijnë PD, le ta shkrijnë. Nëse duan që ta rithemelojnë, le ta bëjnë. Por një gjë është e sigurtë sot në PD: Asnjë prej këtyre skenareve nuk ndodh, nëse nuk largohet më parë, ai që po i mban peng të gjithë aty brenda!