30 vjet më parë, anija ‘Vlora’ mbërriti në brigjet e Barit me 20 mijë shqiptarë, që vinin nga ana tjetër e Adriatikut. 8 gushti i 1991 njihet ndryshe si eksodi i shqiptarëve, të cilët ‘të ngarkuar’ mbi një anije mallrash lundruan drejt Italisë për një jetë të mirë duke sfiduan vdekjen në kërkim të fatit të tyre. Në kujtim të kësaj ngjarje artisti puljez Nicola Genco ka krijuar një instalacion te Bunk’Art1. Figurat e çuditshme e të pafundme, që pa radhë përshkojnë hapësirën, janë figura njerëzish që vijnë nga larg apo shkojnë larg, duke lënë gjurmë në dete e lumenj, duke u ngjitur në lartësi të thepisura, duke ecur në ultësira e pyje, duke kaluar ura, duke kapërcyer mure.

Janë hijet e atyre që e kanë shndërruar një vend të huaj në shtëpinë e tyre, që kanë takuar të ndryshmen dhe ata vetë janë bërë të ndryshëm. Kokë dhe trupa qeramike e bardhë, të brishtë dhe të çmuar në të njëjtën kohë, për të thënë se mendja dhe zemra janë selitë e ndërgjegjes dhe të ndjenjave; ashtu si këmbët e holla dhe të gjata dhe shufra hekuri të ndryshkura të zhytura në tokë për të simbolizuar gjatësinë dhe egërsinë e udhëtimit, por edhe këmbëngulja dhe guximi me të cilin e përballuan.

Nicola Genco ka dashur të mbledhë këtë shumëllojshmëri krijesash në një tokë të askujt, në një lloj pellgu mes dy brigjeve me qëllimin për të vënë në dritë vlerën e paçmuar të takimit të kulturave, rëndësinë e padyshimtë të marrëdhënieve njerëzore, peshën e rëndësishme të qarkullimit të ideve, dobishmërinë e pamohueshme të shkëmbimit të eksperiencave. Fytyrat e udhëtarëve, të modeluara në mënyrë sintetike, të pengojnë të dallosh gjininë, moshën, etninë. Janë vetëm njerëz që shkojnë të vendosur përballë tjetrit, edhe për të njohur më mirë vetveten.Është e qartë, e tepërt ta themi se kjo e tyrja, nuk është një shëtitje. (Shqiptarja.com)