Mero Baze
Ajo që po ndodh tani me reagimet ndaj Mark Markut, tregon se logjika është një bimë e ndaluar për t’u mbjellë në oborrin e PD. Mark Marku nuk ka bërë ndonjë gjë që nuk e kanë bërë kritikët e mëparshëm të PD. Të gjithë të larguarit nga PD, kanë thënë pothuajse të njëjtat gjëra. Të larguarit pas 2013, kanë thënë pothuajse ekzaktësishtë të njëjtat gjëra. Të gjithë kanë thënë që partia është një zyrë private e Sali Berishës, që i ka varur në qafë çelësat Lulzim Bashës. Të gjithë kanë thënë që Basha po e përdor partinë për interesa të tij private, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e Berishës. Kjo është një retorikë e njohur. Reagimet e egra ndaj tij burojnë nga fakti se ai përdor logjikën për të gjykuar PD-në. Ky është një nga krimet me të patolerueshme në PD, qysh në nisje të sundimit të Sali Berishës në atë parti. Aty ti mund të bësh çfarë të duash si deputet apo i zgjedhur. Mund ta aprovosh atë që bën partia, apo mund të heshtësh. Mund të sillesh sikur nuk kupton apo mund të recitosh ato që të japin.
Në atë parti ke luftë vetëm nëse ti përdor logjikën kur flet. Kjo është tërësisht e ndaluar. Përdorimi i logjikes është për PD njësoj si oksigjeni për një kufomë të balsamosur. Nëse ajo prek ajrin, ajo dekompozohet. PD mbijeton ashtu si burg, falë këtij mekanizmi. Aty ka plot njerëz që nuk e duan Berishën, madje që e urrejnë atë, por askujt nuk i prishin punë derisa nuk flasin me logjikë. Nëse duan ta shajnë, janë të lirë dhe ta shajnë, por ama të thonë broçkulla, jo gjëra logjike. Përshembull, është e lejuar ta shash Berishën në PD duke thënë “Doktori ka bërë gabime të mëdha se është njeri i butë dhe tolerant” . Apo “Doktori ka bërë gabime të mëdha se ka afruar disa spiunë dhe agjentë në PD”, apo kritika të fort atë tipit, “Fajin e ka Doktori që nuk i zhduku “këta plehra”. Këto broçkulla, që nuk kanë lidhje me logjikën, lejohen dhe si kritika për Berishën. Por nëse dikush përdor logjikën, edhe sikur ta lavdërojë diku Doktorin, duket njeri i dyshimtë.
Mark Marku dhe sulmet ndaj tij vlen për të na kujtuar të gjithëve, pikërisht këtë problem të PD, problemin që ajo ka me luftën ndaj përdorimit të arsyes dhe logjikës kur flet. Shikojini njerëzit që dalin në podiumet e PD .Marrin një letër, lexojnë tri fjali që janë njësoj si broçkullat e Lulzim Bashës, që nuk i besojnë as vetë, dhe largohen. Nuk përballen dot me logjikën qoftë dhe të ndonjë pyetje naivi reporteri. E kanë të ndaluar të mendojnë dhe të flasin me logjikë. Shikoni këta që i turren Mark Markut, sidomos këta njerëzit e periferisë së PD, që ëndërrojnë të bëhen një ditë të mëdhenj. Pak a shumë këta më ngjanë si minatorët e veriut të Shqipërisë, që në korrik të 1990 i shkruanin telegrame Ramiz Alisë kundër atyre që hynë në Ambasadat e huaja dhe i thoshin “po të jetë nevoja vijmë ne në Tiranë në vend të atyre plehrave që tradhtuan partinë”.
Ndaj dorëzimi i mandatit prej tij, duke vizatuar një parti të kalbur, që nuk guxon të hapë kapakun ku kanë balsamosur PD-në e vdekur, vlen për të kuptuar pse ajo parti nuk ka për t’u ngjallur më. Ajo shkërmoqet po ra në kontakt me lirinë.