Pavarësisht humbjes së thellë më 25 prill, LSI ka vijuar me traditën, duke mbledhur edhe këtë vit në një kamping në Jalë të rinjtë mbështetës të kësaj partie. Por ajo që bie në sy është mungesa e kryetares së LSI, Monika Kryemadhit, ndërsa të pranishëm ishin Petrit Vasili, Endrit Braimllari, Erisa Xhixho e Floida Kërpaci.
Kryemadhi ka transmetuar live në Facebook organizimin, por pa sqaruar arsyet se pse mungonte në këtë aktivitet, hera e parë që ndodh një gjë e tillë.
Kjo mungesë e Kryemadhit shton edhe më shumë pikëpyetjet për pozicionin e saj në këtë parti dhe nëse do të vijojë ta udhëheqë sërish atë edhe pas difatës së 25 prillit. Prej kohësh, Kryemadhi nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë në lidhje me shumë çështje të rëndësishme në vend.
Kujtojmë se shkaktoi jo pak habi shfaqja krejt papritur e Kryemadhit krah bashkëshortit të saj, presidentit Ilir Meta në vizitën e tij në Budapest, disa muaj më parë, në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në pamjet e publikuara nga Meta, Kryemadhi u shfaq e ulur krah bashkëshortit të saj kryetar shteti, sipas një protokolli ku në raste të tilla ulet vetëm “Zonja e Parë”.
Ndërkohë mungon një sqarim nga vetë Kryemadhi, ndërsa mbetet për t’u parë hapi i saj i radhës për të kuptuar nëse do të vijojë apo jo të drejtojë Lëvizjen Socialiste për Integrim./ shqiptarja.com