Qytetarët më të drejtë vaksinimi në Kosovë kanë mundësi që të imunizohen vetëm në qendrat e komunave ku ata janë të regjistruar si banorë. Pra, nëse një qytetar i përket një komune tjetër por nga e hëna në të premte jeton e punon në Prishtinë, atëherë vaksinimi për të bëhet i vështirë. Kjo duke qenë se të shtunën dhe të dielën nuk ka vaksinime me dozën e parë. Infektologu Ilir Tolaj mendon se duhet të ketë lehtësira të tjera dhe thjeshtëzim të vaksinimit në vend dhe se duhet të shtohen edhe qendrat e vaksinimit të në gjithë vendin. “Kjo është edhe një prej pengesave të vaksinimit masiv. Nëse autoritetet synojnë vaksinim masiv atëherë duhet që ta lehtësojnë qasjen në vaksina, që ta thjeshtësojnë sa më shumë që është e mundur dhe rrjedhimisht edhe kjo pikë që të jetë mundësia e marrjes së vaksinës në qendrat të ndryshme aty ku janë qytetarët është një promovim i vaksinimit. Nëse dëshirojmë që njerëzit të vaksinohen sa më shumë atëherë do duhet që t’ju mundësohet që edhe gjatë ecjes së tyre për në punë të kenë akses në qendra të vaksinimit, ta bëjnë atë dhe të vazhdojnë për punën.”

“Ajo çka unë mendoj se duhet të bëhet në të ardhmen të bëjmë, atë që kanë bërë shtetet e tjera që përmes ekipeve mobile t’ua afrojmë procesin e vaksinimit qytetarëve këtë e kanë bërë shtete tjera.” Lidhur me këtë çështje nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në të ardhmen mund të ketë edhe lehtësia të tjera që do ndikojnë në rritjen e numrit të të vaksinuarve.