Qendrat shëndetësore verore nga jugu në veri kanë dhënë shërbim për më shumë se 30 mijë pushues, me standarde dhe profesionalizëm. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli sot në vëmendje punën e Dr. Paola Arapi, e specializuar në ORL dhe dr. Grej Malo, kirurg maksilofacial.

“Janë mjekët e talentuar që shërbejnë prej më shumë se dy muajsh në qendrën shëndetësore verore të Palasës, pjesë e ekipit të 130 mjekëve dhe infermierëve që janë në shërbim 24/7 në të gjithë zonat turistike”, u shpreh Manastirliu.

Sipas ministres, ka qenë një punë fantastike e mjekëve tanë me shërbimin e ofruar në kohë dhe me cilësi për më shumë se 30 mijë pushues, që kanë patur nevojë për kujdes shëndetësor. Në zinxhirin e qendrave shëndetësore verore, stafet mjekësore po garantojnë shërbim shëndetësor 24/7 për pushuesit në zonat turistike, nga veriu në jug. Qendrat verore do të jenë të hapura deri në fund të sezonit.