Pas recesionit të fortë në vitin 2020 në nivelin prej rreth 4 %, Qeveria shqiptare pret që ekonomia të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Sipas programit buxhetor afatmesëm 2022-2024 të hartuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, i cili u publikua në Fletoren Zyrtare, rritja ekonomike parashikohet 5.5 % në vitin 2021 dhe parashikohet të vijojë të qëndrojë mbi nivelin prej 4 % përgjatë periudhës afatmesme. Specifikisht rritja ekonomike parashikohet 4.8 %, 4.5 % dhe 3.9 % për vitet 2022, 2023, dhe 2024.

Ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të cilët kanë hartuar këtë dokument parashikojnë se në periudhën afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet. Investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mesatarisht rreth 6.4 % në vitet 2022 – 2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindjeje në vit. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit, thuhet në dokument, pritet të transmetohen në një rritje graduale të pagave, të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrjeje më të lartë.

Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet edhe nga përmirësimi i pritshëm i kushteve financiare të individëve, ashtu dhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme, pas kapërcimit të efektit negativ nga goditja e pandemisë. Ndërsa rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga një shfrytëzim më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar ashtu si dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë. Njëkohësisht dhe përmirësimi i kushteve financiare dhe lehtësimit të standardeve të huadhënies priten të jenë një faktor i rëndësishëm incentivues i investimeve private në afatin e mesëm. Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 3 % në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.7 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së.