Shtetet e Bashkuara po dërgojnë këtë javë në Kosovë një kontingjent prej 35.100 vaksinash kundër COVID-19, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Ai tha se vaksinat dërgohen përmes programit COVAX dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.

Dozat për Kosovën janë pjesë e një blerjeje prej gjysmë miliardi të vaksinës Pfizer të siguruar nga presidenti Joe Biden, në fillim të kësaj vere.

Zyrtari tha se ekipet shkencore dhe autoritetet ligjore të të dyja vendeve kanë punuar së bashku për të siguruar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të vaksinave në Kosovë.

“Ne jemi krenarë që jemi në gjendje t’i dorëzojmë këto vaksina të sigurta dhe efektive për njerëzit e Kosovës. Ne po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione. Vaksinat tona nuk vijnë me prapavijë. Ne po e bëjmë këtë me synimin e vetëm – për të shpëtuar jetë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, po udhëheqin botën në një strategji globale të vaksinave “sepse është gjëja e duhur për të bërë. Është gjëja e duhur moralisht, gjëja e duhur nga një perspektivë globale e shëndetit publik, dhe e drejtë për sigurinë dhe mirëqenien tonë kolektive”. /VOA