Mes kontingjentit të dytë të 154 shtetasve afganë që mbërritën mëngjesin e kësaj të shtune në Shqipëri, është edhe një ish zyrtar i qeverisë Afgane. Ai është Ahmed Hasif Fajap i akomoduar me gruan dhe fëmijët në Qytetin Studenti. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, ai tregon se ardhja në Shqipëri është emigrimi i dytë nga Afganistani pas atij të parë kur ishte 13 vjeç në Pakistan. Muhamed Veliu: Si ndjeheni në të parën ditë në vendin tonë? Ahmed Hasif Fajap: Faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë dhe gjithçka. Ne ndjemi shumë mirë. U pritëm nga autoritetet tuaja më të larta si ministrja juaj e punëve të jashtme dhe e nderuara ambasadore e SHBA. Me të vërtetë ndjemi shumë të kënaqur dhe ju falënderojmë për mbështetjen dhe mikpritjen që kemi marrë deri më tani.

Muhamed Veliu-Me çfarë jeni marrë në Afganistan cili ishte profesioni juaj atje? Ahmed Hasif Fajap: Unë isha një nëpunës i qeverisë. Isha zëvendës drejtor i përgjithshëm i drejtorisë së mbrojtjes së mjedisit, ekuivalent i postit të zëvendës ministrit. Është për të ardhur keq ajo që ndodhi atje. Talibanët morën nën kontroll qeverinë bashkë me një sistem që ne ndërtuam gjatë 20 viteve të shkuara me ndihem e komunitetit ndërkombëtar ku u dha shumë mbështetje financiare dhe teknike. Fatkeqësisht gjithçka ndryshoi brenda një nate. Ende nuk na besohet që një gjë e tillë ka ndodhur. Është një histori që po përsëritet me mua. Isha 13 vjeç kur emigruam në Pakistan në kohën kur Muxhahidinët atë kohë erdhën në fuqi duke marrë qeverisjen përmes presidentit Nexhip të asaj kohe. Ne emigruam në të njëjtën mënyrë në Pakistan. Tani, ne do të shkojmë në SHBA por për momentin jemi akomoduar këtu. Është për të ardhur keq që vendi ynë i mrekullueshëm Afganistani po vuan në këtë moment. Për ne atje nuk ishte e sigurt dhe jetën tona ishin në rrezik. Prandaj morëm këtë vendim. Ishte një hap jo i lehtë për tu hedhur pasi lam gjithçka atje. Shtëpitë, punën gjithçka. Morëm me vete pak rroba e dokumentet e rëndësishme duke lënë vendin.

Muhamed Veliu: Nëse do të vijonit të qëndronit në Afganistan çfarë rreziku ju kanosej nga Talibanët pasi siç më treguat keni qenë zyrtar i qeverisë së shkuar? Ahmed Hasif Fajap: Siç e përmenda që prej kohës kur unë kisha një rrol në qeveri pra një pozicion të lartë,nuk ndjehesha i sigurt, ekzaktësisht atë moment kur Talinanët erdhën. Ditët e fundit nuk kam lëvizur nga shtëpia kjo për të mbrojtur veten. Jeta dhe e ardhmja ime bashkë me familjen ishin në rrezik. Nuk donim të na ndodhte diçka sepse duke analizuar situatën e shikoja që nuk isha i sigurtë pasi situata po përshkallëzohej e përkeqësohej e përkeqësohej. Na duhet të merrnim një vendim për fëmijët tanë e familjen. Kështu u larguam.