Një numër rekord i grave shtatzëna u shtruan në kujdesin intensiv me Covid muajin e kaluar, tregojnë të dhënat, pasi mjekët ngritën shqetësime për hezitimin për bërjen e vaksinës tek nënat në pritje. Shifrat nga Qendra Kombëtare e Auditimit dhe Kërkimit të Kujdesit Intensiv treguan se në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut 66 gra shtatzëna përfunduan në kujdesin intensiv në korrik. Ky është numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë dhe tre herë më shumë se prilli i vitit të kaluar.
Ndërkohë që mjekët apelojnë që ato të vaksinohen sa më parë, numri i nënave të ardhshme në kujdesin intensiv është rritur në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit, ndërsa mosha mesatare e shtrimit të tyre është 32 vjeç. Shkencëtarët zbuluan se më shumë se 99% e grave shtatzëna të shtruara në spital me Covid-19 janë të pavaksinuara, dhe janë të infektuara me variantin Delta që paraqet një rrezik akoma më të madh.
Studiuesit në Universitetin e Oksfordit i kanë përshkruar gjetjet e tyre si “shqetësuese”, duke thënë se një në 10 gra shtatzëna të shtruara në spital me simptoma të Covid-19 shpesh kërkojnë kujdes intensiv. Ndërkohë Vaksinat Pfizer dhe Moderna rekomandohen për gratë shtatzëna në Mbretërinë e Bashkuar sepse këto vaksina i janë dhënë mbi 130,000 grave shtatzëna në SHBA dhe të dhënat nuk kanë ngritur ndonjë shqetësim sigurie.