Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të mërkurën (11 gusht) se gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar edhe një viktimë nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Viktima është nga komuna e Gjilanit. Sipas njoftimit, bazuar në testimin e 6.086 mostrave, pozitivë në COVID-19 kanë dalë edhe 888 raste. Më së shumti të infektuar janë regjistruar në Prishtinë, 182 raste. Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht, 237 persona. Në njoftim thuhet se janë shëruar 38 pacientë nga sëmundja COVID-19, ndërsa raste aktive janë 3.489. Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 111,644 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,274 kanë v de ku r. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi më 11 gusht se 186 pacientë janë të shtrirë në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID-19 – sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi – dhe në spitalet e përgjithshme. Prej këtij numri, 136 pacientë janë të konfirmuar pozitivë me koronavirus. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkaq 117 të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.
Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit. Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca. Përgjatë së martës ndonjërën nga këto vaksina e kanë marrë 16.905 persona. Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 174.991, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 521.737.