U mbushën dy javë nga momenti kur u bë publik lajmi, se Shqipëria ra dakord me SHBA për të pranuar një grup emigrantësh politikë, që do ikin nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talebanëve. Ky hap u përshëndet nga Kryetari i PD Lulzim Basha. Por çuditërisht Presidenti i Republikës heshti.
Sali Berisha duke parë tek zhvillimet në Afganistan një mundësi për tiu kundërvënë SHBA, si hakmarrje ndaj vendimit që e futi atë në listën e zezë, duket se nuk e priti mirë deklaratën e kryetarit që ka deleguar vetë në krye të PD. Ndaj për të mos dale zbuluar, në nervozizëm e sipër bëri sikur e përshëndeti edhe ai ardhjen e emigrantëve afganë, përmes një postimi ku lëshonte flakë e vrer!
Arsyet e kësaj qajse në kampin opozitar u kuptuan shpejt, kur propaganda e saj nisi të sulmonte vendimin e qeverisë “Rama”. Prapa këtij zhvillimi, ata lexuan përfitimet që mund ti vinin mazhorancës, nga qëndrimi krah SHBA dhe administratës së Presidentit Joe Biden në momentin shumë të vështirë për ta, të tërheqjes përfundimtare të trupave ushtarake nga Afganistani.
Propoganda e opozitës zbuloi se liderët e tyre, kishin dy qasje, për vendimin e Edi Ramës:
E para, në Europë vetëm Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po pranojnë emigrantë afganë. Asnjë vend anëtar i BE nuk ka shprehur gadishmërinë, për të mirëpritur qoftë edhe përkohësisht emigrantët që kishin bashkëpunuar ngushtë në 20 vitet e fundit, me trupat e tyre në terren në kuadër të operacioneve të NATO në Afganistan.
Kjo për ta do të thoshte se Edi Rama, do fitonte të tjera aksione amerikane e në arenën ndërkombëtare. Intervistat e tij në mediat më të mëdha botërore dhe nga telefonata personale që i bëri Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, u dhanë të drejtë. Ata nuk e panë këtë, si një mundësi për rritjen e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, por si zhvillim që e dobësoi edhe më tej lidershipin e opozitës.
E dyta, zhvillimet e fundit në Afganistan, janë lexuar nga propaganda e Sali Berishës dhe Ilir Metës, si një mundësi e dobësimit të pozitave të SHBA në planin ndërkombëtar. Çka i ka dhënë zemër, se ky mund të jetë një moment i florinjtë për të përfituar, duke shpresuar edhe në fitoren e tyre kundër SHBA.
U bënë aq qesharakë në këtë pikë, sa nisën të përhapin me zell tezën, se SHBA do dështojë në Shqipëri ashtu siç dështoi edhe në Afganistan. A thua se ata vetë janë talebanët e Kabulit dhe për rrjedhojë, i bie që shpejt, të riktheheshin në pushtet edhe në Tiranë?!
Sali Berishës ia di gjithkush hallin që ka me SHBA, pavarësisht se nuk ia mirëkupton, e aq më pak tia qajë. Po Ilir Meta pse hesht? Kryetari i Shtetit në detyrë, ka bërë dhjetra pastime këto ditë, duke u sforcuar të thotë edhe gjëra krejt pa rëndësi. Por çuditërisht, ende nuk ka gjetur kohë e mundësi, që të përshëndesi ardhjen e emigrantëve afganë në Shqipëri.
Mirë që nuk e bëri këtë para se të vinin, po pse nuk doli të paktën këto 2-3 ditët e fundit në aeroportin e Rinasit, që të mirëpriste njërin nga tri grupet e para në emër të qytetarëve të këtij vendi?
Më shumë sesa një mesazh që duhet deshifruar, heshtja e Ilir Metës është një akuzë që ai vetë po i bën Presidentit të Republikës. Edhe në këtë rast, ai tregoi se në atë zyrë nuk po e garanton dot frymën dhe gërmën e Kushtetutës, por është aty vetëm për të qarë hallet e veta personale. Me sa duket, këtë radhë e ndjen nën lëkurë, se shumë shpejt edhe atë e pret fati amerikan i Sali Berishës!/Alpenews.al