62,6% e fermerëve në 12 qarqet e vendit aplikuan në Skemën Kombëtare të mbështetjes për Bujqësinë 2021, për të përfituar subvencione në blegtori. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, 1 mijë e 890 fermerë janë përfitues të masës së mbështetjes për blegtorinë, nga 3 400 që është numri total i aplikimeve të fermerëve të kualifikuar në shkallë vendi. Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2021 adreson mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për blegtorët duke i subvencionuar ata për krerë bagëti.
Këtë vit Skema Kombëtare adreson mbi 65% të fondit të saj në financimin e fermerëve për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. Vitit e fundit fermerët përfituan subvencion për çdo faturë të shitjes së qumështit te grumbulluesit. Fermerët blegtorë përfituan në total 40 milionë lekë përmes skemës së qumështit me 10 lekë për litër.
AZHBR po vijon kryerjen e pagesave, subvencion për fermerët e kualifikuar përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2021. Është kryer në masën 70% financimi i fermerëve të shpallur përfitues për njërën nga 9 masat që mbështet Skema Kombëtare e këtij viti. Fondi total për subvencionimin e fermerëve arrin në vlerën 804 milionë lekë.