Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë dhe afganët që u rrezikohet jeta, bashkëpunëtorë të tyre, edhe nëse kjo do të kërkonte të mbahej një prani ushtarake atje përtej afatit të 31 gushtit. Në një intervistë me George Stephanopoulos të kanalin ABC News, Biden tha se janë rreth 15 mijë qytetarë amerikanë që vijojnë të bllokuar në vend dhe 22 mijë afganë që “kanë sytë” nga Amerika.
“Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t’i nxjerrim të gjithë”, tha ai.
Frika është shtuar në Afganistan, kjo sepse talebanët kanë rrethuar aeroportin e Kabulit duke penguar largimin e afganëve të cilët kanë punuar për perëndimin. Grupi militant u ka premtuar të huajve kalim të sigurt në aeroport, por shtetasit afganë që kanë të drejtë të evakuohen për shkak të punës së tyre si bashkëpunëtorë për SHBA-NATO kanë raportuar vështirësi madje flasin edhe për dhunë. Kjo ka bërë që edhe mbërritja e afganëve në Shqipëri të shtyhet, pasi ishte parashikuar që të vinin pardje ose dje, por fluturimi i tyre është shtyrë për shkak të zhvillimeve të fundit në Afganistan dhe nuk ka një datë dhe orë fikse se kur parashikohet të vijnë.
Referuar mediave ndërkombëtare, thuhet se pavarësisht deklaratave të talebanëve për paqe, ato kanë nisur një operacion duke shkuar derë më derë për të identifikuar shtetasit që punonin për ndërkombëtarët. Situata vështirësohet edhe më shumë nga qindra afganë të tjerë të cilët nuk kanë asnjë dokument për t’u larguar, por shkojnë në aeroport me shpresën për të siguruar një vend në një fluturim evakuimi.
Talebanët kanë kërkuar të qetësojë komunitetin ndërkombëtar, duke shpallur një “amnisti të përgjithshme” dhe duke theksuar se do të kishte “shumë dallime” në mënyrën se si ata qeverisin vendin në krahasim me kohën e mëparshme kur ata kanë qenë në pushtet. Ata thanë se gratë nuk do të ishin të detyruara të mbanin burka dhe se do të lejoheshin të punonin, brenda kufijve të “ligjit islam”. Mirëpo deklaratat e tyre janë shumë larg veprimeve, kjo sepse është parë që figura femërore është hequr nga televizionet, posterat në mur të vajzave janë fshirë, madje janë parë edhe skena dhune të qytetarëve që po rriheshin me kamxhik në rrugë. Që nga dita e diel, kur talebanët morën pushtetin 12 persona janë vrarë, nga të shtëna me armë, por mbeten të paqarta rrethanat.
Nisur nga kjo vendet perëndimore kanë bërë thirrje që të mos e njohin qeverinë e talebanëve, që do të sillte jo pak pasoja ekonomike për ta, në një vend si Afganistani i listuar si ndër më të varfërit në botë. Edhe FMN-ja ka marrë masa, duke i hequr Afganistanit çdo akses në burimet e saj.