Vendi ynë prej javësh tashmë po përballet me shumë vatra zjarri që shuhen dhe riaktivizohen për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë. Edhe pse shumica e zjarreve kanë qenë të qëllimshme, temperaturat e larta dhe terreni i vështirë ka ndihmuar në përhapjen e tyre.
Edhe sot IGJEUM ka paralajmëruar për situatën e zjarreve në vend duke theksuar se gjatë kësaj fundjave për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve qarqet me rrezik më të lartë për t’u prekur nga zjarret janë qarku i Lezhës, Fier, Berat, Gjirokastër, Durrës e Tiranë.
Qarqet me rrezik më të moderuar janë ato të Kukësit, ku prej javësh vijon të ketë aktive vatrën në Majën e Rrunës, por edhe Vlora, e cila u dogj prej javësh në gadishullin e Karaburunit dhe fshatin Dukat. Qarqet më të rrezikuara nga zjarret sipas IGJEUM.