Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të shtunën tetë viktima me koronavirus. Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 2,279 raste të infektimit, pas testimit të 12,666 mostrave.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 21 gusht janë shëruar 325 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 18,287. Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 125,000 pacientë me këtë virus.
Prej tyre mbi 2,300 kanë vdekur. Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit. Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca.
Në 24 orët e fundit janë vaksinuar 22,486 persona. Të vaksinuar me të dyja dozat janë 234,731 persona, derisa sipas autoriteteve 687,553 vaksina janë dhënë në total në Kosovë.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka thënë të shtunën se në spitalet e përgjithshme në Kosovë, si dhe në klinikat për trajtim të koronavirusit, janë të shtrirë 757 pacientë, prej tyre 653 me koronavirus.
Sipas SHSKUK-së, 26 pacientë janë në gjendje të rëndë dhe 610 po trajtohen me oksigjenorapi. Nga 20 gushti, në Kosovë kanë nisur së zbatuari masat e reja për luftim të pandemisë.
Ahengjet dhe dasmat janë anuluar, është zvogëluar orari i bizneseve të gastronomisë, si dhe është shtuar kërkesa për dëshmi të vaksinimit për të fituar qasje në një mori aktivitetesh./REL