Tashmë që banorët e kryeqytetit janë më së shumti duke shijuar pushimet në këto ditë të nxehta gushti, sërish rrugët e Tiranës janë plot me njerëz, dhe jo vetëm qytetarë që vijojnë punën e përditshme, por edhe vizitorë të shumtë që shfrytëzojnë udhëtimin drejt vendit tonë për të parë sa më shumë vende. Padyshim, kryeqyteti shqiptar është një nga destinacionet që nuk mungon në axhendën e vizitorëve.
Të shoqëruar me guidë, grupe turistësh shihen nëpër Tiranë teksa vizitojnë pikat më interesante për të shkuar më pas edhe në zona të tjera si Durrësi, Berati, Vlora, Kruja etj. ATSH solli përshtypjet e një grupi turistësh të cilët treguan për eksperiencën e tyre në kryeqytet dhe në përgjithësi në vendin tonë.
Fillimisht, vajza që shoqëron grupin tregon itinerarin. Unë punoj si cicerone. Në biznesin e turizmit hyra 5 vjet më parë. Ky është grupi i dytë që shoqëroj pas periudhës së koronavirusit. Shqipëria më pëlqen më të vërtetë dhe Tirana është një qytet kaq i këndshëm. Mund të them se është si një metropol dhe njerëzit janë të këndshëm dhe miqësorë. Bëmë mirë që erdhëm nga Hungaria. Do të vizitojmë Krujën, Beratin, por do të shkojmë edhe në Vlorë për shëtitje me varkë, tregon vajza e cila shoqëron të gjithë grupin e turistëve dhe që punon në njërën prej agjencive turistike në vendin tonë.
Ndërsa një tjetër turist i ardhur nga Rumania shprehet për pushimet që po kalon në Shqipëri. Ai ka ardhur nga Transilvania, rajon i Rumanisë. Por, ai u bashkua me grup dhe mendon se është një vend fantastik, i mahnitshëm. Ai u kënaq me plazhin e bukur të Durrësit .
Do të vizitoj edhe disa vende të tjera përpara se të kthehem. Më pëlqen shumë të flas me njerëzit dhe t’i them atyre se Jezu Krishti i do shumë. Këtë gjë e bëj kudo ku shkoj nëpër botë, u shpreh një tjetër turiste që përpos pushimeve që po bën në Shqipëri, nuk harron edhe misionin e saj jetësor.
Po sa ditë planifikojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe sip o e kalojnë kohën këtu? Turistja shprehet se i pëlqen shumë vendi dhe nuk e di ende sa do të qëndrojë, ndoshta edhe e zgjat kohën e qëndrimit.
Nuk e di, dy, tre, dhjetë ditë….Do të kaloj dhjetë ditë përpara se të kthehem në Amerikë, tregon ajo.