Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi vlerësoi sot kontributin e mësueses Liza Prenga, nga Laçi, në sistemin arsimor.
“Me një përvojë 36-vjeçare në arsim, 20 prej të cilave në gjimnazin “At’ Shtjefën Gjeçovi” në Laç, zysh Liza ka krijuar figurën e mësuesit model falë aftësive të saj profesionale, punës së palodhur, si dhe komunikimit e bashkëpunimit të shkëlqyer me nxënësit, kolegët, drejtuesit dhe prindërit”, u shpreh Kushi.
Ministrja vlerësoi se “pasioni dhe përkushtimi në mësimdhënie i është shpërblyer zysh Lizës me rezultatet e larta të nxënësve të saj në rang kombëtar si në krijimtari, ashtu edhe në interpretim”.
“Ndërkohë, ajo ka bërë një punë të mrekullueshme edhe me planifikimin e realizimin e projekteve mësimore, ku disa prej tyre i ka vënë në skenë në mjediset e shkollës dhe të Pallatit të Kulturës Laç, duke dhuruar përherë çaste argëtuese me mesazhe aktuale e frymëzuese edhe për banorët e qytetit”, tha Kushi, teksa falënderoi zysh Lizën për punën e përkushtimin e saj.