“Për ne është shumë e qartë. Ne kemi qënë afganët tre dekada më parë, kur u arratisëm nga ferri ynë. Tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë, dhe ne duhet të jemi atje për ta siç ishin të tjerët atje për ne.” Kryeministri Rama ka folur kështu në një intervistë për gazetën britanike “The Sunday Times” mbi strehimin që Shqipëria do t’u ofrojë afganëve të larguar nga vendi i tyre.“Për brezin që është në pushtet në shumë vende të Evropës,  lufta është Netflix – bardh e zi. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë”, deklaroi Rama. “Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz të njohur që janë vrarë”, shtoi ai duke iu referuar periudhës së vështirë pas rënies së regjimit komunist në vend.

Kryeministri thekson në këtë intervistë se Shqipëria, pati një histori mikpritjeje me strehimin dhe mosdorëzimin e hebrenjve te nazistët. “Kjo është një nga faqet më të bukura të historisë sonë, sipas mendimit tim”, tha Rama. Rama shpjegon në intervistë edhe vështirësitë e procesit të evakuimit të afganëve nga aeroporti i Kabulit.

**Shkrimi i plotë në “The Sunday Times”. Në Tiranë javën e kaluar, teksa përhapej lajmi që qindra refugjatë do të mbërrinin së shpejti prej Afganistanit, qyteti u zgjua nga përgjumja verore. Punëtorët ngritën çadrat e kontrollit afër pistës së aeroportit; në qytet dhomat e konvikteve u bënë gati. Ato ishin gati për mbërritjet e reja: refugjatët afganë që Shqipëria ishte zotuar se do t’i priste, ndërsa ata po vlerësoheshin për zhvendosje në SHBA.
Megjithatë akoma nuk kanë mbërritur. Kaosi në aeroportin e Kabulit u thellua, zhgënjimet po ngriheshin në Tiranë dhe në të gjithë botën për moskujdesin e perceptuar të evakuimit – çka ka lënë shtete dhe aktorë më të vegjël në veçanti duke luftuar për të siguruar njerëzit e tyre. “Duket se nuk ka ka një koordinues atje, nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për vete”, tha Kryeministri shqiptar Edi Rama. “Shume shtete po kërkojnë të kenë një pikë kontakti të përbashkët, e lëre më organizatat humanitare që nuk dinë me kë të flasin dhe gjithë kohës marrin mesazhe të shumëfishta”.

Zyrtarët në Shqipëri, ushtarët e të cilëve kanë shërbyer në Afganistan si pjesë e misionit të NATO -s, – si homologët e tyre në të gjithë botën – kanë punuar pa pushim këtë javë për të evakuuar shtetasit e tyre, aleatët afganë dhe stafet e tyre. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, aeroplanët janë ende duke qëndruar bosh, pasagjerët e tyre të pamundur për të kaluar nëpër turmat e mëdha, duke u përpjekur të shtyjnë portat e aeroportit. “Nuk ka asnjë mënyrë për të shkuar te njerëzit përmes portave nëse nuk je një shtet i madh, dhe edhe për shtetet e mëdha duket pak e çrregullt”, tha Rama. “Ja pse gjithë organizatat kanë ngecur. Shtetet mesatare ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëz siç ishte planifikuar”.

Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ranë dakord këtë muaj për të marrë mijëra refugjatë afganë, ndërsa ata vlerësohen për zhvendosje në SHBA. Megjithëse Shqipëria është ndër shtetet më të varfra të Evropës, Rama tha se ai mendonte se ishte përgjegjësia e tij për të hedhur një hap.

Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane, tha ai, për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvoja në kujtesë. “Për brezin që është në pushtet në shumë vende të Evropës, lufta është Netflix – bardh e zi. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë.” “Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë”, tha ai. Për dekada, nën sundimin e diktatorit stalinist Enver Hoxha, shqiptarët iu nënshtruan një represioni brutal pasi vendi u bë më i varfëri dhe më i izoluari në Evropë. Kur regjimi komunist ra në 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës, vendi u kap nga valët e trazirave dhe dhunës. “Për ne është shumë e qartë”, tha Rama. “Ne kemi qënë afganët tre dekada më parë, kur u arratisëm nga ferri ynë”. “Tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë, dhe ne duhet të jemi atje për ta siç ishin të tjerët atje për ne.”

Shqipëria, tha Rama, pati një histori mikpritjeje. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar në Evropë që doli me një popullsi më të madhe hebraike sesa kishte në vitin 1939. Asnjë hebre i vetëm nuk iu dorëzua nazistëve. “Kjo është një nga faqet më të bukura të historisë sonë, sipas mendimit tim,” tha Rama.

Vendi prej 3 milionësh, tha ai, mund të marrë përsipër deri në 3,000 refugjatë afganë përmes skemës aktuale. Nëse ndonjërit i refuzohet viza amerikane, ose nuk dëshiron të zhvendoset, ata do të ishin të mirëpritur të qëndrojnë. Mbretëria e Bashkuar, e cila ka një popullsi prej më shumë se 66 milion, është zotuar të marrë 20,000 refugjatë afganë gjatë pesë viteve të ardhshme. “Deri në një pikë të caktuar unë e kuptoj debatin në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me imigracionin e paligjshëm. Unë e kuptoj zhgënjimin. Por në të njëjtën kohë, kjo nuk ka të bëjë me të thënit askujt që jeton në Afganistan dhe i pakënaqur me talebanët që të vijnë në Evropë”, tha Rama. “Këtu bëhet fjalë për shpëtimin e jetës së atyre që punuan me aleatët e NATO -s, të cilët ishin atje për ne.”