Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile në përditësimin e situatës së zjarreve në vend njoftoi se vazhdojnë operacionet pa ndërprerje për fikjen e zjarreve me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, nën koordinimin dhe bashkëpunimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile me forcat operacionale, kryesisht në veri të vendit.
Nga toka po operojnë aktualisht të gjitha strukturat vendore, të Shërbimit Pyjor, të FA, të zjarrëfikseve dhe disa banorë vullnetarë të zonës bashkuar forcave operacionale. Nga ajri, njëkohësisht vazhdojnë ndërhyrjet me 4 helikopterë – 2 helikopterë Chinook hollandez, 1 helikopter Cugar i FA, 1 helikopter i Policisë Çeke. Sipas Emergjencave Civile, situata e zjarreve është problematike në disa vatra në veri të vendit.
Era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, në fshatin Patalej në Lezhë, ku flakët janë në drejtim të fshatit Katund i Ri në Rubik. Përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës. Me ritëm të shtuar është edhe zjarri në fshatin Kaçni në Selishtë të Dibrës.
Fatmirësisht, momentalisht nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara dhe po punohet intensivisht dhe pa ndërprerje për fikjen e tyre.