Zjarret në Shqipëri po monitorohen nga hapësira, përmes Copernicus EU EMS. Lajmi u bë i ditur nga delegacioni i Bashkimit Europian, në Tiranë. Copernicus EU EMS On Demand Mapping siguron informacion të detajuar sipas kërkesës për situatat e përzgjedhura emergjente që dalin nga fatkeqësitë natyrore ose të shkaktuara nga njeriu kudo në botë. Sipas delegacionit të BE-së, kjo bën të mundur skanimin dhe evidentimin e shpejtë përgjatë territorit shqiptar.
Prej disa ditësh në vend për shkak të temperaturave të larta ka patur vatra të shumta zjarresh që kanë rrezikuar jetë njerëzish dhe banesash. Ekipeve tona të zjarrfikësve, FA-ve dhe emergjencave iu janë bashkuar në operacionin për shuarjen e vatrave të zjarrit edhe forcat e sigurisë dhe zjarrfikës nga Kosova, si dhe një ekip prej 50 personash dhe 3 helikopterë nga Holanda dhe Çekia, të vënë në dispozicion përmes Mbrojtjes Civile Evropiane dhe Operacioneve të Ndihmës Humanitare.