Ambasada amerikane ka shprehur solidaritetin e saj për ata që janë prekur nga vatrat e zjarreve në Shqipëri ku thekson se, SHBA kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqipërisë në kohë nevoje. Gjithashtu Ambasada ka publikuar dhe një video nga operacionet që po kryejnë Forcat e Armatosura për shuarjen e vatrave të zjarrit.
“Lutjet tona shkojnë për ata që janë prekur nga vatrat e zjarreve në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqipërisë në kohë nevoje. Në këtë video, burrat dhe gratë e guximshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare përdorin pajisje të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara ndërsa luftojnë me zjarret në jug të vendit”, shprehet Ambasada.
“Pajisjet për shuarjen e zjarrit janë pjesë e një dhurimi prej 360,000 dollarësh të bërë nga Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara në vitin 2019. Ato përfshinin “kova Bambi”, kostume zjarrfikësish, sëpata, lopata dhe pajisje personale mbrojtëse. “Kovat Bambi”, të përdorura në këtë video, mbajnë ujë nëpërmjet helikopterëve dhe u mundësojnë atyre të mbushin sasi të mëdha në kohë të shkurtër, në mënyrë që të shuajnë zjarrin”, bën të ditur Ambasada.