Në orët e para të mëngjesit të sotëm filloi operacioni me helikopterët Chinook të pajisur me kovat Bambi 10.000 litërshe, për neutralizimin e vatrës në fshatin Dukat. Në këtë zonë situata është kritike, pasi era ka ndikuar në përhapjen e flakëve, duke shtuar intensitetin e tyre dhe gjatë gjithë natës është operuar me forca edhe nga toka.
Nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ekipet nga ajri dhe forcat në terren kanë filluar punën dhe po vazhdojnë operacionin për stabilizimin e situatës. Gjithashtu do të vazhdojë puna për fikjen e vatrave të tjera, në Gadishullin e Karaburunit dhe në zona të tjera të Shqipërisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Çako, Prefekti i Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, në krah me të gjitha strukturat dhe efektivët dhe punonjësit e palodhur, si me Luan Kapaj të Zjarrëfikses Vlorë, kanë ndjekur gjatë natës dhe nga afër situatën në terren.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur mbrëmjen e djeshme se në të gjithë vendin janë aktive 7 vatra zjarri.
Puna ka vijuar për shuarjen përfundimtare të flakëve në Gjirin e Gramës.
Zjarri tek Maja e Rrunës, në Kukës është vënë nën kontroll vatra në drejtimin nga vendi i quajtur Laku i Thive, por po monitorohet nga forcat operacionale. Mbetet aktiv zjarri sipër Tunelit të Kalimashit, ku situata është përkeqësuar për shkak të erës. Po punohet për të mos lënë përhapjen në territorin e njësisë administrative Surroj, ku mund të ketë rrezik për stanet e fshatit.
Puna vijon pandërprerë me vatrat në fshatin Thirrë dhe fshatin Munellë-Domgjon, të bashkisë Mirditë, ku ende ka vatra aktive në një pjesë të zonave.
Në kontroll janë vatrat në fshatin Vermosh, në Malësi të Madhe, vatra në luginën e Valbonës në fshatin Klysyrë si dhe vatra në fshatin Gjorgos në Cakran të Fierit.