Juventus është mposhtur për herë të dytë brenda 3 javëve kampionat. Në supersfidën kundër Napolit ‘zonja e vjetër’ është përmbysur me shifrat 2-1 në një sfidë ku kishte 8 mungesa për shkak të futbollistëve latin që u rikthyen vonë nga kombëtaret.

Në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ të besuarit e Allegri-t shënuan të parët me Morata-n në minutën e 10 pas një gafe të Manolas. Nga ky moment Napoli mori kontrollin e lojës dhe pas dominimit barazuan vetëm në minutën e 57 me Politanon. Për të përmbysur shifrat mendoi Kulibali i ndihmuar edhe nga Moise Kean. Kjo disfatë e zhyt Juventusin në vendet e fundit me vetëm 1 pikë në 3 javë kampionat, ndërsa Napoli momentalisht udhëheq Seria A me pikë të plota. Fitorja e të kaltërve ka acaruar Allegrin, që ka shkuar t’i kërkojë llogari Spalletit për protestat ndaj arbitrit gjatë lojës. Nga mediat italianë mësohet se në dhomat e zhveshjes Spalleti i është kthyer Allegrit duke i thënë se ‘nuk është mirë t’i bëjë moral njëherë që ai fiton’, pasi në shumicën e rasteve trajneri i Juves ka dalë fitues.