Të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë 8-mujorit të këtij viti u realizuan në masën 324 miliardë lekë, ose 103 % të planit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë rritje prej 53.2 miliardë lekë.

“Lajm i mirë! 53.2 miliardë lekë më shumë në buxhetin e shtetit krahasuar me 8-mujorin 2020. Treguesit fiskalë të janar – gusht 2021 tregojnë se ekonomia shqiptare po vijon të performojë pozitivisht. Mbetemi të angazhuar në realizimin e planit të të ardhurave dhe shpenzimeve”, deklaroi Denaj. Sipas të dhënave të publikuara nga MFE, të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 119.1 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 23.9% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 9.2 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8-mujorin e vitit 2021.

Ndërsa të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 8 mujorin 2021 u realizuan në masën 162.7 miliardë lekë, 21.1 miliardë ose 14.9% më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.4 miliardë lekë, ose 1.5% më shumë se plani i 8-mujorit 2021. Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 355.3 miliardë lekë me një realizim në masën 94.9 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 9.6 % më i lartë ose rreth 31.16 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 8 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 99 % dhe 60 % të planit të periudhës. Niveli i deficitit për periudhën 8 mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 31.06 miliardë lekë, ose 22.07 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën janar-gusht niveli i deficitit rezulton 51.9 % e planit të periudhës prej rreth 59.85 miliardë lekë.