Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon kompanive të ndërtimit të rrugëve që të heqin reklamat apo logot e pa autorizuara të cilat gjenden në rrugë apo vepra arti në objektet që administrohen nga ky Autoritet. Përmes një urdhi të firmosur nga kreu i ARRSH, Evis Berberi bëhet e ditur se ky vendim vjen si pasojë se është konstatuar prania e reklamave apo logove të kompanive që kanë zbatuar punimet në segmente të ndryshme rrugore, kryesisht në vepra arti, ura, mbikalime, nënkalime.

Në urdhrin në fjalë thuhet se prania e tyre bie ndesh me nenin 23 të Kodit Rrugor.

Kompanive që kanë në vijim kontrata për zbatim punimesh, t’u bëhet me dije ky Urdhër dhe baza ligjore në të cilën mbështetet, me qëllim që të mos aplikojnë shënimin e reklamave të tilla gjatë punimeve. Në urdhërin në fjalë thuhet se në rast të ekzistencës së reklamave/logove në objekte të përfunduaratë cilat nuk kanë kaluar në fazën e mirëmbajtjes me kontraktim, kontraktorët të marrin masa që me shpenzimet e tyre të fshijnë reklamat në fjalë. Kur objektet janë në kontrata mirëmbajtje kjo detyrë t’ju komunikohet kontraktorëve të mirëmbajtjes.

Kompanitë të cilat preken nga ky urdhër u është lënë një muaj afat për të fshirë reklamat, ndërsa thuhet se në rast mos zbatimi të këtij urdhri ARRSH do të ushtrojë të drejtën e penaliteteve konform legjislacionit në fuqi.