Nga Alfred Peza
Azem Hajdari hynte tek ata njerëz, që kishte lindur për të mos vdekur në shtratin e tij, si shumica dërrmuese e të tjerëve. Sa ishte gjallë, liderët më të fuqishëm politikë të kohës, luteshin të mos e kishin përballë. Edhe Ramiz Alia edhe Fatos Nano. E mbi të gjitha, Sali Berisha vetë, për aq kohë sa lufta brenda llojit është më e egra. Me aurolën e një njeriu kyç të historisë, karizmën e lindur të një lideri popullor dhe ekspresivitetin e një karakteri të jashtëzakonshëm, askush nuk donte ta kishte nëpër këmbë Azem Hajdarin, brenda fushës së ndikimit të vet.
Aq e vërtetë ishte kjo, sa udhëheqësi i Dhjetorit ’90, nuk ua trazoi ujërat vetëm në gjallje. Ai vijon ta bëjë këtë, edhe tani, në çdo përvjetor vdekje. Ndaj nuk kishte si të bënte përjashtim edhe kjo e dielë, në 23 vjetorin e përkujtimit të ikjes tragjike të tij më 12 shtator 1998, kur u vra para selisë së PD. Ata që e sulmuan më shumë deri atë ditë, ata që e nxorën në pritë, ata që u gëzuan pas krismave fatale, ata që e përdorën arkivolin e tij si “kokodash” për të hapur portën e Kryeministrisë me shpresën se do riktheheshin në pushtet me “grusht shteti”, janë në garë sot për të treguar publikisht se kush e kush e ka dashur më shumë.
Madje tani që i ka zënë halli i paparë, me shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA, kanë nisur të kacafyten pa i lënë radhës as familjes së Azem Hajdarit që ti bënin nderimet e përvitëshme. Duke shkuar deri atje, sa të akuzojnë Lulzim Bashën, se e zhvilloi ceremoninë përkujtimore në ilegalitet të plotë e pa i ftuar të gjithë. A thua se ceremonia nuk u bë në mes të Tiranës, në mes të ditës dhe e transmetuar live? Apo përkujtimorja e Azem Hajdarit nuk është vetëm pak metra larg gardhit të SHQUP dhe kushdo është i lirë të shkojë, kur dhe sa herë të dojë?!
Azem Hajdari vërtetë është simbol i lëvizjes studentore që solli pluralizmin politik në Shqipëri, por ai është më shumë sesa kaq, duke u bërë simboli sesi PD i ka trajtuar figurat e saj historike. Sa herë që Sali Berisha ka patur nevojë për emrin e tyre, ka bërë sikur i ka respektuar. E atëherë kur nuk i janë dashur më, i ka harruar. Sa ishin gjallë, i përjashtoi nga PD dhe vuri në lëvizje makinën e tij të baltës që ti fyenin, akuzonin, turpëronin, poshtëronin, luftonin, demonizonin. Vetëm kur ikën dhe nuk u prishën më punë brenda partisë ose vdiqën, niste e u ngrinte himne!
Atëherë kur Azem Hajdari u duhej që të qëndronte në ballë, për të vrarë frikën nga diktatura komuniste, ai ishte për ta një lider i madh. Por kur e kaluan lumin e ia morën partinë, filluan që të komplotonin e ti shanin kalin, me çtu vinte në mendje. Mjafton të ribotohen 25 pyetjet famëzeza që iu bënë në gazetën “Albania” më 1996, në kulmin e përplasjes mes tij dhe Presidentit Sali Berisha, për të kuptuar sesa shumë e donin Azem Hajdarin nëpër këmbë sa ishte gjallë.
Ndërsa tani që Sali Berisha u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD, siç ai kishte vepruar edhe vetë më parë me Azem Hajdarin, janë në garë se kush e kush do ta ngre më shumë në qiell. Ata që akuzuan Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij sot, se nuk e meritonin të përkuleshin para Azem Hajdarit, janë të njëjtët që bënë gjithçka dje kundër tij në gjallje në emër të besnikërisë ndaj Sali Berishës që e kishte armikun më të madh të brendshëm.
Sa shumë e kanë dashur Azem Hajdarin, mjafton të kujtojmë se sa ishte në opozitë nga 1997 e deri më 2005, Sali Berisha u përbetua se do rihapte dosjen e tij. E ta mendosh se ajo që është cilësuar si vrasja e shekullit, është e vetmja dosje në historinë e gjyqësorit shqiptar, që nuk ka ende të përcaktuar motivin e krimit! Edhe studentët e vitit të parë të juridikut, e dinë lidhjen shkak- pasojë, në një vrasje. Por pasi u rikthye në pushtet, Sali Berisha nuk gjeti dot as edhe një minutë kohë që kujtohej për të, për 8 vjet me radhë nga 2005 deri më 2013.
Të njëjtët që qajnë tani me lotë krokodili për Azem Hajdarin, iu sulën e i bënë të njëjtën gjë edhe vajzës së tij Rudina Hajdari, kur nuk pranoi lojërat e Sali Berishës për të bllokuar Reformën në Drejtësi përmes manovrës së djegjes së mandatit të deputetëve. Të vetmit që kanë moralin politik dhe publik sot, për të nderuar Azem Hajdarin, nuk janë as Sali Berisha dhe as mbështetësit e tij më të afërt që kanë qenë zagarët e gjuetisë së shtrigave të zhvilluar kundër tij. Por janë ata që bëjnë çka munden, për të çmontuar kulturën “e të vrarit natën dhe të qarit ditën”, që ka ekzistuar në PD.
Lulzim Basha me siguri që nuk e ka njohur fare Azem Hajdarin nga afër, por me vendimin për ta larguar Sali Berishën nga PD, është i vetmi që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të përmbushur idealet e tij politike. Për aq kohë sa ky hap i parë i sapohedhur, nuk pasohet edhe me shumë të tjera, Azem Hajdari do vijojë që të mbetet një gozhdë në trurin e PD.