Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla zhvilloi takime me asambletë socialiste në bashkitë e Roskovecit dhe Patosit. Balla u shpreh se Partia Socialiste ka marrë rezultate pozitive elektorale gjithmonë në Roskovec dhe Patos. “Përmbyllja e procesit të kalimit anëtarësisë së partisë tërësisht 100% në rrjet digjital është synimi ynë në kalendarin politik që miratuam në Kongresin e 12 Qershorit”, u shpreh Balla.
“Përfshirja e anëtarësisë së partisë në vlerësimin e Deputetëve, anëtarëve të Qeverisë dhe kryetarëve të Bashkive, ishte një ushtrim shumë demokratik nga i cili u morën të dhëna të dobishme”, theksoi ai.
“Çdo anëtar i Partisë Socialiste duhet të marrë njoftim në kohë reale për çdo vendimmarrje tonën, në Kuvend, në Qeveri apo këshilla bashkiakë. Dhe anasjelltas, çdo anëtar partie duhet të ketë mundësinë të shprehet apo japë mendimin e vet online”, theksoi Balla.
“Teknologjia është, partinë e kemi, e gjithë struktura duhet të ketë komunikim digjital. Dhe mos harroni krahasimin e bëjmë me veten. Natyrisht kohën e kemi përpara, por nëse dielli duket që në mëngjes atëherë për të thelluar diferencën me kundërshtarët, beteja për mandatin tonë të katërt qeverisës varet vetëm angazhimi ynë sot në të gjithë territorin”, u shpreh Balla.