Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit të miratimit të “Pasaportës Jeshile” të Shqipërisë nga ana e Komisionit Evropian. Këtë zhvillim të fundit kryeministri Edi Rama e cilëson si një super lajm ndërsa shton se është shembull i progresin digjital të vendit.

EDI RAMA NË FACEBOOK

“SUPERLAJM. Shqiptarët të lirë të lëvizin lirisht në Europë me pashaportën digjitale të vaksinimit BE aprovon Shqipërinë, Izraelin dhe Marokun, duke dhënë edhe një shembulll kuptimplotë të progresit tonë digjital, për të gjithë ata që dëshirojnë t’u gëzohen edhe arritjeve, përveçse të shohin vetëm të këqija deri edhe ku nuk ka.”

Komisioni Europian ka miratuar sot certifikatën e vaksinimit të dhënë nga Shqipëria duke theksuar se ajo është e njëvlefshme me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Rrjedhimisht, çdokush që ka atë certifikatë, të marrë pas një vaksine të miratuar nga EMA do të mund të lëvizë lirshëm në vendet e Bashkimit Europian.

“Certifikatat e vaksinimit, testimit dhe shërimit të COVID-19 të lëshuara nga Republika e Shqipërisë në përputhje me sistemin e “Regjistrit e Testeve dhe Vaksinave Shqiptare Covid 19″, me qëllim të lehtësimit të së drejtës së lëvizjes së lirë brenda BE-së, do të konsiderohen si ekuivalente me ato të lëshuara në përputhje me Rregulloren (BE) 2021/953 të Bashkimit Europian”, thuhet në vendimin e KE-së.