Nga Jakin Marena/ Lulzim Basha ndodhet nën një presion të fortë politik, pasi të gjithë kërkojnë nga ai gjëra që nuk ka as dëshirën dhe takatin t’i realizojë.
Praktikisht kemi hyrë në ditën e parë të shtatorit të “nxehtë” politik dhe është caktuar data e fillimit të punimeve të parlamentit të ri.
Presidenti Ilir Meta, i shkarkuar nga Parlamenti i vjetër tashmë, ka vendosur orën 10.00 të datës 10 shtator si momentin e thirrjes për të mbajtur mbledhjen e parë të Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në pamje të parë gjithçka duket normale!
Por kjo është një datë drithëruese për Lulzim Bashën më shumë, i cili nga njëra anën është nën presionin e fjalës së dhënë ndaj SHBA dhe BE që PD të distancohet nga Sali Berisha, nga ana tjetër është nën presionin e sfidues të vetë “babait” të tij politik i cili nuk pyet për kryetarin zyrtar të PD. Madje deklaron se do jetë trefish aktiv në Parlament e PD dhe sikur një i vetëm të mbetet.
Dhe një tentativë spontane që bëri Basha për të atakuar Berishën, përmes sekretares së re të PD Jonila Godole, e cila ende nuk e di se çfarë ndodh në PD dhe si funksionon kjo parti, i dështoi që në “embrion”. Pasi krahu i “armatosur” i Berishës i detyroi të gjithë të heshtnin, dhe lajmi i sekretares të zhdukej me urgjencë nga gazeta e partisë RD, por dhe nga mediat afër Bashës.
Dhe në vend që presioni të ishte mbi Sali Berishën, i cili jo vetëm është shpallur “non grata” nga SHBA por i është kërkuar që të mos shkelë në Parlamentin e Shqipërisë dhe të heqë dorë përfundimisht nga politika pas 55 vitesh aktive, nga të cilat 25 vite në PPSH e Enver Hoxhës, është Lulzim Basha ai që në mënyrë paradoksale gjendet nën presionin e të gjitha palëve.
Jo se shqetësohet shumë lideri i PD, i cili kërkon me të gjitha mënyrat një alibi për SHBA që të thotë se situata me Berishën në PD e tillë është që nuk të lejon shumë hapësirë. Dhe këtu fut dhe tentativën e sekretares së re për të kërkuar largimin e Berishës, reagimin e liderit historik dhe mbështetësve të tij dhe zhdukjen e lajmit! Madje dhe kërcënimin e sekretares së PD.
Por nga ana tjetër, Basha po tenton që dhe Sali Berishën ta mbajë në PD, që mos t’i sjellë probleme, në acarim e sipër lideri historik mund ta shkarkojë dhe me një telefonatë Bashën, por dhe të plotësojë një nga kushtet e vëna nga partnerët ndërkombëtarë për të realizuar në këtë shtator të “zjarrtë”: Dialogun politik me kreun e mazhorancës.
Basha e dha sinjalin në mbledhjen e këshillit Kombëtar të PD se e pranon ftesën e Edi Ramës për tryezë politike, por me kusht që dy nga pikat kryesore të tij të futen në draft-marrëveshje për t’u firmosur.
Bëhet fjalë për ndryshimin e Kushtetutës dhe rikthimin e saj në normalitet, duke zhbërë në këtë mënyrë paktin mes Berishës e Ramës të arritur më 2008 dhe që ka deformuar rëndë jo vetëm sistemin politik në Shqipëri por dhe demokracinë në partitë politike dhe për pasojë dhe në hallkat e shtetit shqiptar.
Pikërisht pranimi në parim i ftesave të Ramës për dialog dhe tryezë politike mes mazhorancës dhe opozitës ka rritur “sentimentin” e kundërshtarëve të marrëveshjeve politike, Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ky i fundit Presidenti në largim i Shqipërisë, i cili është dhe ai në hall.
Të mësuar të mbijetojnë në politikë përmes politikës së konfliktit dhe të përplasjes së fortë me kundërshtarin, Berisha dhe Meta, në situatën e vështirë në të cilën ndodhen, në raport me SHBA-të dhe BE-në, ish kryeministri demokrat është person ‘non grata’ në SHBA ndërsa Presidenti është abandonuar po nga SHBA dhe kancelaritë europiane, të cilat nuk e llogarisin si kryetar shtetit, uljen në një tryezë të mundshme të Ramës me Bashën, e shohin si fatale për ta.
Më se njëherë Berisha është shprehur se nuk mund të bëhet asnjë marrëveshje me Edi Ramën, duke përmendur dhe faktin se pakti i vitit 2017 i bërë nga Basha pa e pyetur liderin historik, kishte shënuar rrënimin e PD.
Sapo u artikulua nga Basha pranimi indirekt i ftesës së Ramës për tryezë politike e mundësinë e arritjes së një marrëveshje të plotë për të gjitha pikat që shqetësojnë palët në Shqipëri, njerëzit rreth Berishës, mediat e familjes së tij dhe afër tij, filluan sulmin ndaj kreut zyrtar të PD.
Një presion i jashtëzakonshëm nga Berisha dhe të tijtë ndaj Bashës për të mos u ulur në tryezë me Ramën, presion të cilit i është bashkangjitur dhe Ilir Meta dhe mbështetësit e tij nga lidershipi i LSI dhe më tej.
Njerëzit e Berishës nuk mungojnë të shprehen se Lulzim Basha në tetë vitet e tij në krye të PD ka marrë vetëm vendime të gabuara, pavarësisht se të gjitha këto vendime i atribuohen si të marra në prapaskenë nga Berisha dhe të artikuluara nga kreu zyrtar i PD. Kështu i paraq et Basha tek ambasadorja e SHBA, shprehen njerezit e Berishës.
Dhe për ta, kjo situatë duhet të marrë fund e Basha duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin spektakolar të opozitës në këto 8 vite dhe të mos “fshihet” më pas Sali Berishës.
“Rama nuk është i pathyeshëm, por është aty ku është vetëm për këtë opozitë. Kësaj opozite nuk i duhet magji, por duhet vendosmëri dhe t’i lërë afat Ramës. Këtij njeriu pa moral, këtij njeriu i lihet afat, por a është Basha njeriu i afateve, këtë gjë nuk e them dot”, shkruan një nga gazetarët e familjes Berisha.
Ndërkohë që u thuhet hapur Bashës se në të gjitha ballafaqimet, dialogjet dhe marrëveshjet me Ramën, ka dalë i humbur ndaj të mos guxojë të pranojë më të flasë në emër të PD për marrëveshje dhe pakte të reja. E quajnë dhe njeri të Sorosit, duke tentuar ta njëhsojnë me Ramën!
Berisha në mënyrë të qartë, përmes mbështetësve të tij që sulmojnë Bashën për “marrëveshjen e pandërprerë me Edi Ramën që nga maji 2017, që rrënoi PD-në dhe pasuroi liderin e saj me vila dhe makina”, po tenton ta mbajë Bashën larg tryezës me kreun e mazhorancës e dialogut, sikurse e kërkojnë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Një nga arësyet kryesore që Berisha refuzon tryezën mes Ramës dhe Bashës është se këtë dialog mazhorancë-opozitë e kërkon SHBA përmes ambasadores në Tiranë Yuri Kim.
Për liderin historik të PD, SHBA është “armiku” që duhet mundur, dhe për këtë qëllim ai është siç e thotë dhe vetë në përballje me sekretarin amerikan të shtetit Blinken për të vendosur në vend “nderin” që SHBA i ka marrë duke e cilësuar hajdut të pasurisë së shqiptarëve dhe minues i demokracisë në këtë vend.
Ndaj Berisha e ka shtuar presionin ndaj Lulzim Bashës për të refuzuar të gjitha tryezat e dialogut me Edi Ramën, pasi çdo marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës do të qetësonte situatën politike në vend dhe do të nxirrte “zbuluar” e jashtë loje vetë Berishën.
Nga ana tjetër, do të linte jashtë “frontit anti-amerikan” Lulzim Bashën dhe për pasojë PD nuk do të ishte një mburojë e mirë politike për të, përballë akuzave të shumta që rëndojnë mbi Sali Berishën. Që nga Gërdeci, Rruga e Kombit e 21 janari, e deri tek aferat e CEZ-DIA e zullume të tjera për të cilat akuzohet Sali Berisha.
Presionit të Berishës i është bashkangjitur dhe presidenti Ilir Meta, i cili menjëherë pas artikulimit të Bashës për ndryshimet kushtetuese, nxjerr nënkryetarin e LSI Petrit Vasili, që të deklarojë se nuk e njeh rezultatin e 25 prillit dhe të paralajmërojë indirekt se mund të bojkotojë me 4 deputetët që ka mundur të marrë LSI më 25 prill, dhe punimet e Parlamentit. Jo se bën dëm me ato 4 deputetë, por Presidenti kërkon të tregojë se dëshiron vetëm tensionin politik!
Frika e Metës konsiston sërish në marrëveshjen që mund të arrihet si produkt i një tryeze të përbashkët mes Ramës dhe Bashës. Dhe këtë e shpreh me gojën ne Vasilit i cili thotë se “pa zgjidhur e përballur 25 prillin dhe masakrën zgjedhore çdo gjë tjetër në Parlament do të jetë vetëm farsë dhe riciklim i kompromiseve, që vijnë erë të qelbur dhe që komisionohen nga oligarkët. Tashmë, shkatërrimi i zgjedhjeve të 25 prillit është fakt i provuar katërcipërisht”.
Presioni i Berishës dhe Metës ndaj Bashës në ditët në vijim do të jetë akoma më i fortë, sidomos pas datës 10 shtator, kur të fillojë zyrtarisht punë Kuvendi i ri, pjesë e të cilit me të gjitha gjasat do jetë dhe Sali Berisha. Por që ambasadoreët do mungojnë në lozhë në momentin e konstituimit të Kuvendit të ri, po për shkak të Berishës.
Ish kryeministri dhe Presidenti aktual e duan kreun e PD dhe vetë opozitën në shërbim të zgjidhjes së halleve të mëdha që kanë, e duan si një “brez sigurie” përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë, që të shërbejë si mburojë politike. Gjithsesi Basha, sado që i lë gjërat që të rrjedhin, “nuhatjen” për lekun dhe për fitimtarin e ka të zhvilluar. Të shohim.