Brenda muajit nëntor nis puna për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, që do të jetë edhe më i madhi në vend.
Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është një nga veprat më të mëdha, është dizenjuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit.
Një ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi në Kuvend teksa prezantoi projektet kryesore që do të zbatohen përgjatë 4 viteve të ardhshme të qeverisë “Rama 3” se aeroporti i Vlorës do të ndërtohet brenda 36 muajve.
Ndryshe nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ai do të ofrojë mundësi dhe për fluturime të avionëve të mallrave si dhe do të ketë hangarë të posaçëm për mirëmbajtjen e avionëve, një tjetër sektor i rëndësishëm i industrisë së aviacionit.
Sipas të dhënave të projektit fillestar, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16 000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46 690 m2 nga të cilat 32 000 m2 do të jenë për pozicionet e avionëve (12 vendqëndrime). 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrëfikës.
Pista do të jetë e gjatë 3200 metra, ndërsa kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj. Rrugët lidhëse do të jenë në total 7263 metra të kategorisë që mbështet operimet e pistës.
Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të ndërtohet nga një konsorcium kompanish, ku 50 përqind e aksioneve zotërohet nga Mabetex e sipërmarrësit Behgjet Pacolli,
Mabetex është në partneritet me një tjetër kompani turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte ne Turqi, një në Kazakistan dhe një tjetër në Ukrainë. Yda Group ka 48 përqind të aksioneve në konsorciumin që fitoi të drejtën për aeroportin e Vlorës, ndërsa 2 përqind i përkasin shoqërisë nga Kosova 2A Group Shpk. Vlera e parashikuar e investimit është gati 104 milion euro.
Aktualisht në Shqipëri është funksional Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” dhe ai i Kukësit “Flatrat e Veriut”, ndërsa për Aeroportin e Sarandës, ministrja Balluku tha po dje se do nis nis gara dhe se brenda 2025 pritet të jetë funksional.