I lindur nga lufta e viteve 1980-të kundër pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik, grupi terrorist Al-Kaida, nën drejtimin e Osama bin Ladenit, u shndërrua në një kërcënim ndër breza për Amerikën, e i cili kulmoi me 11 shtatorin e vitit 2001, me sulmin që rrëzoi Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, raporton Associated Press. Sulmet e 11 shtatorit, në të cilat gjithashtu u pa që Pentagoni u godit nga një avion komercial, që u rrëmbye nga militantët e këtij grupi, çuan në pushtimin e udhëhequr nga SHBA-ja në Afganistan dhe fillimin e luftës më të gjatë të Amerikës, e cila sapo përfundoi me tërheqje të furishme të ushtrisë amerikane përmes transportit ajror nga Kabuli. Ai gjithashtu përfaqësonte një lloj të ri rreziku, një luftë jo kundër një kombi në vetvete, por një rrjeti të errët financierësh, shokësh dhe kamikazësh, që vazhdon edhe pas vrasjes së bin Ladenit nga duart e Marinës amerikane më 2011 në Pakistan. Të tjerë kanë ndjekur modelin e tyre, me rezultate edhe më të tmerrshme.
Origjina Al-Kaida, ose në arabisht “Baza”, u organizua kur sovjetikët u tërhoqën nga Afganistani. Duke shpresuar të përfitojë nga mbështetja e muxhahedinëve, apo “luftëtarëve të shenjtë”, të rekrutuar gjatë luftës së tyre kundër Moskës, bin Laden formoi Al-Kaidën dhe u bë udhëheqësi i saj. Biri i një magnati ndërtimesh në Arabinë Saudite, bin Laden gjithashtu gëzonte pasuri familjare të madhe. Ai kërkoi tërheqjen e forcave amerikane nga Arabia Saudite, shtëpia e vendeve më të shenjta për Islamin. Amerika vendosi trupa atje në krye të Luftës së Gjirit të vitit 1991, kundër pushtimit të Kuvajtit nga diktatori irakian Saddam Hussein.
Kulmi Në vitin 1996, Osama bin Laden lëshoi një deklaratë zyrtare për luftë. Por, vetëm më 7 gusht 1998, atëherë kur kamionët e ngarkuar me eksplozivë shpërthyen jashtë ambasadave amerikane në Nairobi, Kenia dhe Dar es Salaam si dhe në Tanzani, duke vrarë më shumë se 200 njerëz, kërcënimi u bë real. Në vitin 2000 pasoi shpërthimi vetëvrasës me bombë i Al-Kaidës në USS Cole në Aden, në Jemen. Shtatëmbëdhjetë persona vdiqën. Pastaj erdhën sulmet e 11 shtatorit 2001. Bin Laden iku pas pushtimit të Afganistanit të udhëhequr nga SHBA-ja, para se të vritej në Abbottabad të Pakistanit, një dekadë më vonë.
Trashëgimia Ayman al-Zawahiri, një egjiptian i cili u bë udhëheqës i Al-Kaidës pas vdekjes së bin Ladenit, është bërë më pak i dukshëm në vitet e fundit dhe besohet se është në gjendje të dobët shëndetësore. Djali i bin Ladenit, Hamza, i cili u bë një figurë kryesore brenda Al-Kaidës, u vra më vonë. Por, rëndësia e Al-Kaidës pas 11 shtatorit, e bëri atë të fitonte degë në të gjithë Lindjen e Mesme. Njëra prej tyre u bë grupi i Shtetit Islamik, prerjet e kokave dhe marrja e pjesëve të mëdha të Irakut dhe Sirisë prej të cilit pati trondituri gjithë botën.
Rikthimi i mundshëm i Al-Kaidës Në shtator të vitit 2021, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, paralajmëroi se grupi militant Al-Kaida në Afganistan mund të ringjallet, pasi ky shtet u mor nën kontrollin e talibanëve. Pavarësisht kërcënimit për rikthimin e mundshëm të këtij grupi, Austin tha se SHBA-ja është e përgatitur që të parandalojë në rikthim të tillë. “Al-Kaida dhe grupi i Shtetit Islamik gjithmonë përpiqen të gjejnë hapësirë për t’u rikthyer, pavarësisht se ku janë, atje apo në Somali ose në ndonjë mjedis të pakontrolluar. Unë mendoj se kjo është natyrën e këtyre grupeve”, tha ai.(REL)